Rend dhe Ligj

OFL shënjestron 4 të dënuar në Fier e Divjakë

Operacioni “Forca e Ligjit” ka zbarkuar sot në Fier dhe në Divjakë, ku u ka kërkuar deklarimin e pasurisë 4 të dënuarve.

OFL thotë se iu ka dërguar kërkesë me shkrim për deklarimin e pasurisë brenda 48 orëve këtyre shtetasve:   

Astrit Gjoni, banues në Divjakë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprën penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe nga Gjykata e Catanzaros, Itali, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”;

Shaban Zenaj, banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Milanos, Itali, për veprën penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i shtetit italian.

Po ashtu formulari iu është kërkuar që të plotësohet edhe shtetasve Petrit Sulejmani, banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim” dhe Esat Mehmetit, banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

OFL thotë se këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Ndër të tjera, OFL thotë se “është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë