Operacioni Forca e Ligjit ka shënjestruar këtë të hënë tre të dënuar në Kuçovë, Berat dhe Gjirokastër.
OFL thotë se u ka dërguar kërkesë me shkrim për deklarimin e pasurisë brenda 48 orëve këtyre shtetasve:
Mario Selamajt, banues në Kuçovë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim;
Qerim Rabajt, banues në Gjirokastër, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Kastriot Jaupajt, banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Vrasje me paramendim për shkak të cilësive të veçanta”;
Kastriot Jaupaj është një personazh i krimit i njohur në qytetin e Beratit.
Ai akuzohet se ka vrarë komisarin e ndjerë, Ilir Ngresi më 30 dhjetor 2000, natën e ndërrimit të viteve teksa ky i fundit po pinte kafe.
Vrasja e komisarit ka ardhur pasi ky i fundit ka dëshmuar kundër Lulzim Cakës për sulmin që ky kreu ndaj një postblloku policie ku u rrezikua edhe jeta e Ngresit.
Lulzim Caka i cili është dhe shoku i Kastriot Jaupaj (vrasësit të komisarit), u dënua me 25 vite burgim për sulmin ndaj postbllokut të policisë.
OFL thotë se këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Ndër të tjera, OFL thotë se është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje