Operacioni “Forca e Ligjit” ka shënjestruar këtë të premte personazhe të njohur në botën e krimit, duke iu kërkuar të deklarojnë burimet e pasurisë brenda 48 orëve.
OFL u ka kërkuar pasurinë dy shtetasve malazezë Erogen Brajoviq dhe Denis Brajoviq, të dënuar për krijim të organizatës kriminale dhe vrasje e mbetur në tentativë, si dhe anëtarit të bandës së Avdylajve, Saimir Gjepali, dhe Alket Hatija, të dy personazhe shumë të njohur në botën e trafikut të drogës.
Erogen Brajoviq, është banues në Shkodër dhe Gjykata e Lartë e Podgoricës, Mali i Zi, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe eksplozivëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Malit të Zi;
Denis Brajoviq, banues në Shkodër, është nën hetim për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Saimir Gjepali, banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”;
Ndërsa Alket Hatija, banues në Durrës, është i dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”.
Zëdhënësja e OFL thotë se këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL ndër të tjera thotë se “është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje