Futboll

Okazioni Tiago Silva, braziliani në merkato me parametra zero

Pas tetë sezonesh, ka përfunduar “era” e Tiago Silvës te francezët e PSG-së. Sipas prestigjiozes “L’Equipe”, klubi i emirit të Katarit nuk ka në plan t’ia rinovojë kontratën që i skadon më 30 qershor futbollistit brazilian. PSG heq dorë kështu nga kapiteni dhe mbrojtësi që ka lënë gjurmë të rëndësishme gjatë periudhës që ka luajtur në Paris.
Në moshën 35-vjeçare, Tiago Silva ka përfunduar në merkato me parametra zero.

Lamtumira e mbrojtësit vjen paradoksalisht në fund të një prej sezoneve më të mira të tij që nga viti 2012, kur kaloi nga Milani te PSG-ja, bashkë me Ibrahimoviç. Braziliani vuri menjëherë autoritetin e tij në ekip dhe u gradua kapiten.

Tiago Silva, 35 vjeç. Gazeta Si, 9 qershor 2020

Ditët e fundit, me anë të rrjeteve sociale nga Brazili, ku qëndron që pas mbylljes së kufijve, Tiago Silva e ka dhënë sinjalin e largimit. Ai ka postuar foto me fanellën e Fluminenses, por si ortak i klubit që e bëri të njohur para se të transferohej në Europë te Milani, ku qëndroi tre sezone dhe fitoi një titull kampion. Edhe pse në moshë të madhe, Tiago Silva nuk ka në plan të tërhiqet. Ai do të ishte i vlefshëm për shumë klube europiane dhe ndoshta te Milani e ëndërrojnë rikthimin e tij. Te PSG-ja, Silva përfitonte 14 milionë euro neto në sezon. Shiritin e kapitenit do t’ia lërë tashmë brazilianit tjetër, Markuinjos.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë