Në fjalimin e parë gjatë Këshillit të Sigurimit, Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ka theksuar se gratë, paqja dhe siguria do të jenë prioriteti kryesor i Shqipërisë gjatë mandatit të saj dy vjeçar në këtë Këshill, si anëtar jo i përhershëm.
“…Aktivistet gra përballen me kërcënime dhe rreziqe, ku përfshihen ndalimet arbitrare, rrëmbimet e zhdukjet nga autoritetet qeveritare, madje edhe vrasje nga autoritetet qeveritare, jo vetëm për shkak të rreziqeve të zakonshme që vijnë me aktivitete e tilla në zonat e konfliktit, por edhe për faktin që janë gra.
E megjithatë, unë e di se ka rezistencë që gratë të luajnë rol në mënyrën se si arrihet paqja. Se si zgjidhen konfliktet.
30 vjet më parë, kur vendi im filloi rrugën e tij të gjatë dhe të vështirë drejt rindërtimit nga dekada izolimi dhe rrënimi nën një regjim jashtëzakonisht radikal komunist, ne bëmë të njëjtin gabim. I mohuam gruas rolin në rindërtim, në pajtim, në procesin e hedhjes së themeleve të Shqipërisë tonë të re. Ne kemi paguar për atë gabim. Por edhe kemi mësuar prej tij.
Jam krenare që barazia gjinore është një prioritet i lartë për Qeverinë Shqiptare, jo vetëm me fjalë dhe politika, por edhe me veprime e arritje konkrete. Shqipëria renditet aktualisht ndër 5 qeveritë e para me barazi gjinore të balancuar, me 75% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë. Një përqindje e ngjashme e posteve ekzekutive të nivelit të lartë dhe të mesëm, si dhe disa nga postet kryesore më të larta publike – duke përfshirë institucionet e pavarura, agjensitë, departamentet në fusha kyçe të shtetit – mbahen nga gratë.
Ne kemi përfituar. I gjithë vendi ka përfituar.
Kjo është arsyeja pse ne vendosëm ta bëjmë Gratë, Paqen dhe Sigurinë prioritetin tonë kryesor. Në këtë frymë, ne iu bashkuam Norvegjisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Nigerit, në Deklaratën e Angazhimeve të Përbashkëta për ta bërë Gratë, Paqen dhe Sigurinë prioritetin kryesor gjatë Presidencave tona në KS”, tha ajo.
Për ministren e Jashtme, pjesëmarrja dhe mbrojtja ecin paralelisht.
“Për këtë arsye unë do të doja të përqendrohesha në 4 pika kryesore:
Së pari, të mbështesim dhe të vëmë në dispozicion burime për organizatat relevante të OKB-së për të ofruar të gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për gratë aktiviste të të drejtave të njeriut, paqendërtueset dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që janë në rrezik, duke përfshirë ato që kanë informuar Këshillin e Sigurimit ose janë angazhuar në cilësi të tjera me sistemin e OKB-së.
Së dyti, të krijojmë mekanizma financimi fleksibël të afta për të vepruar shpejt dhe për t’u përgjigjur me shpejtësi kur gratë lidere përballen me kërcënime dhe akte ndëshkimore – Krijimi i Dritares së Financimit për Gratë Aktiviste të të Drejtave të Njeriut më herët sot është një zhvillim pozitiv dhe Shqipëria do të japë kontributin e saj për fondin.
Së treti të rrisim fondet për organizatat dhe lëvizjet për të drejtat e grave dhe për organizatat e lëvizjet e te drejtave të grave të udhëhequra nga gratë, në zonat delikate dhe të prekura nga konflikti.
Së katërti, të rrisim llogaridhëniën në lidhje me gratë, paqen dhe sigurinë duke pasur një qasje me tolerancë zero ndaj akteve hakmarrëse kundër grave aktiviste dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut.
Këshilli duhet të luajë një rol thelbësor në këtë drejtim. Një rol vendimtar. Nuk mund të ketë paqe pa gratë dhe do të ishte e pafalshme të përjashtohej gjysma e njerëzimit nga përpjekjet që synojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, renditi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje