Futboll

Olimpiada u mbyll, por në Korenë e Veriut ajo sapo ka filluar

Lojërat olimpike përfunduan, vendet pjesëmarrëse bëne bilancet e pjesëmarrjes e medaljeve të fituara dhe televizionet transmetuan ceremoninë përmbyllëse të lojërave. Por, në Korenë e Veriut, olimpiada sapo ka filluar…të paktën sipas televizionit shtetëror të vendit komunist.

KCT, që është televizioni shtetëror i Koresë së Veriut transmetoi dy ditë pas mbylljes së lojërave olimpike ndeshjen e futbollit për femra mes Britanisë së Madhe dhe Kilit, të zhvilluar që më datë 21 korrik.

Transmetimi me vonesë i aktiviteteve sportive e kulturore ndërkombëtare është i përhershëm për shkak të regjimit të rreptë të censurës që aplikohet, por në të shkuarën eventet janë transmetuar pak ditë pas zhvillimit të tyre dhe jo me javë si këtë herë.

Ndeshja e futbollit mes femrave të Britanisë së Madhe dhe Kilit u transmetua pa komentim dhe me cilësi të ulët të pamjeve filmike, për shkak se këtë vit, televizioni shtetëror koreano-verior nuk mori të drejtën e transmetimit të olimpiadës, që zakonisht e ka përfituar përmes transmetuesit koreano-jugor, SBS.

Megjithatë, rasti më i bujshëm i transmetimeve propagandistike të televizionit shtetëror koreano-verior mbetet ai i botërorit 2010, ku Koreja e Veriut mori pjesë si finaliste. Në ato finale, vendi komunist ishte pjesë e grupit G, së bashku me Brazilin, Portugalinë dhe Bregun e Fildishtë.

Koreja e Veriut e mbylli aventurën në këtë botëror me tre humbje me 12 gola të pësuar dhe vetëm një të shënuar, ndaj Brazilit në humbjen 2-1. Por, goli i vetëm mjaftoi që sipas raportimeve të mediave në atë kohë, që një javë më vonë në Penian të transmetohej ndeshja, ku Koreja e Veriut kishte “mposhtur” Brazilin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë