Gazeta Si- Ndonëse në takim elektoral në Lushnjë, kryesocialisti Edi Rama nuk ka ngurruar që të sulmojë ashpër kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për kreun e bashkisë së Himarës, Fredi Belerin për deklaratat e tij për helenizimin e qyteti jugor bredgetar.
Rama i cilësoi të turpshme dhe të papërgjegjshme këto qëndrime që vijnë si pasojë e shëmbëlltyrës të së keqes.
“Shikoni Himarën, shikoni çfarë ndodh në Himarë, shikoni se çfarë kanë bërë në Himarë “Non Grata” bashkë me Liken. Këta patriotë të mëdhenj, këta patriotë që mbrojnë Kosovën nga unë, këta patriotë që luftojnë Serbinë, këta patriotë që mbrojnë Ballkanin. Shikoni se çfarë bëjnë dhe thonë vetëm broçkulla. Atij drurit që ka dalë në Himarë, dhe më papërgjegjësinë më të madhe, shëmbëlltyrë e skutave më të thella të të kaluarës që nuk i gjen dot sot në Greqi, të qarqeve më të errëta folk-nacionaliste të të shkuarës që thotë do helenizojë Himarën. Do helenizojë Himarën ai, do vë në vend padrejtësinë 60 vjet. Nuk e di se si i numëron. Është analfabet funksional, nuk di as të flasë as të numërojë. Na del ky “fanspathi” në Himarë, i hedhur atje si kartë bixhozi nga faqja më e zezë e Shqipërisë, Salikefloriri, të dy bashkë, njëri më katran se tjetri. Këtë e them këtu në Lushnjë, sepse të djathtët në Lushnjë dhe Fier janë shumë patriotë. A nuk ndjeni ju përgjegjësi t’ua jepni votën këtyre faqezinjve, faqezinj nuk u them unë, por këtë damkë ua ka vendosur aleatët tanë. Janë të matrikulluar si persona të padëshirueshëm. Atje në Himarë e kanë nxjerrë të gjithë thelbin e vetes”, tha Rama.
Ai i bëri thirrje elektoratit të djathtë që ta mos e votojnë një kandidat të tillë, pasi “Në Himarë e kanë nxjerrë të gjithë thelbin e vetë që janë bërë bashkë jo për popullin dhe bashkitë ,por për hallin e tyre të madh me drejtësinë, me të kaluarën e tyre që tani e kanë të gjithën përpara”.
Ndërkohë që kryeministri paralajmëroi se opozita nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit, pasi do përpiqet të gjejë alibinë e humbjes duke akuzuar Partine Socialiste për blerje dhe tjetërsim votash.
“14 maji nuk do jetë një fitore, por një triumf. Ju siguroj se ata, mbani mend, në mos që natën e 14 majit, në mos që mbas ditën e 15 majit. Në 16 maj, i keni duke bërtitur, “na vodhën votat”, “na grabitën”, “narkoshteti”, “kriminelët”, “i blenë”, sepse ata s’kanë asnjë shans dhe strategjia e tyre është të kapen si i mbytur që kërkon të të mbysë”, theksoi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje