Politike

Opozita paraqet ndryshimin e sistemit me lista të hapura, Kodi i ri për ekspertizë te ODIHR

Ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor përpara se të votohen në Parlament do të dërgohen për ekspertizë në ODIHR dhe në OSBE. Kështu deklaruan pas mbledhjes së komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri i PS-së dhe Rudina Hajdari e opozitës pas mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura.
Mbledhja e komisionit ribashkoi socialistë dhe opozitarët. Dy deputetët e opozitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kanë paraqitur propozimet për amendimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke kërkuar proporcional me lista të hapura. Propozimi i tyre është që të ketë vetëm një zonë zgjedhore, e cila shërben për të zgjedhur 140 mandate të Kuvendit. Më pas në propozimin tjetër kërkohet që të ketë edhe listë për preferenca me 154 kandidatë, ku të kenë të drejtën e përzgjedhjes së 5 kandidatëve nga lista shumëemërore për deputet.
“Në anën e djathtë të fletës së votimit, vendosen të renditur njëri pas tjetrit, 154 hapësira me shënimin brenda secilës prej tyre numrat rendorë të njëpasnjëshmëm nga numri 1 në numrin 154. Gjithashtu zgjedhësi mund të votojë jo më shumë se pesë kandidatë, duke bërë shënimin në numrat përkatës, që përfaqësojnë numrin rendor të kandidatit në listën e kandidatëve të partisë politike”, thuhet në amendamentin e propozuar nga dy deputetët.

Propozimi për reformën zgjedhore. Gazeta “Si”, 19 dhjetor 2019


Në nenin 162 propozohet të bëhen këto ndryshime, ku jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve zgjedhore, për Kuvendin dhe organet e qeverisjes vendore, apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve sipas këtij Kodi, KQZ përgatit shpërndarjen e mandateve për Kuvendin apo njësinë vendore përkatëse mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në shkallë vendi dhe për organet e qeverisjes vendore në çdo njësi vendore.
“Numri i votave të vlefshme nga secili prej subjekteve zgjedhore pjesëtohet me numrin e votave të vlefshme të fituara nga të gjitha subjektet zgjedhore dhe rezultati shumëzohet me numrin e përgjithshëm të mandateve të Kuvendit. Secili prej këtyre subjekteve zgjedhore përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e plotë që rezulton nga përllogaritja e mësipërme. Pas kësaj përllogaritje numri i mandateve që mbeten pa u shpërndarë u jepen subjekteve zgjedhore me mbetjet dhjetore më të mëdha. Në rast se mbetjet dhjetore për mandatin e fundit janë të barabarta, mandati i jepet subjektit që ka numrin më të madh të votave dhe nëse ata kanë numër të barabartë votash atëherë ai caktohet me short”, thuhet në amendamentin e dytë.
Kandidatët për deputetë të partive zgjidhen mbi bazën e numrit më të madh të votave të vlefshme të fituara prej tyre.

Faksimile e amendamenteve, Gazeta “Si” 19 dhjetor 2019


Gjiknuri: Të gatshëm për sistemin, por me këtë deri në 2022. Presim PD-në

Bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri u shpreh i hapur për propozimet e paraqitura për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por që mbi të gjitha theksoi se këto do të shqyrtohen në janar të vitit të ardhshëm, si dhe mbi të gjitha bëri të ditur se është i hapur edhe për propozimet që mund të ketë PD-ja për ndryshimin e sistemit.
“Draftet e paraqitura për kodin zgjedhor janë ende teknike. Besoj se deri në vitin 2022 këtë sistem zgjedhor do të kemi. Vijojmë t’i qëndrojmë mendimit që opozita të sjellë propozimet dhe ne qëndrojmë të hapur. E presim PD-në dhe partitë e tjera të opozitës të vijnë”, theksoi Gjinkuri.
Sipas tij një gjë e mirë e vendosur në mbledhjen e komisionit është edhe fakti se KQZ do të përzgjedhë një kampion votash për të shikuar nëse përputhen votat dhe kjo do të shërbejë edhe më tepër për transparencën e procesit. Sa i përket ndryshimit të sistemit, PS mbetet e hapur, por se Gjiknuri e vlerësoi sistem aktual si më të mirë, duke shtuar se kjo do të ketë debate, pasi bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese dhe se për këtë duhet të ketë një konsensus sa më të të gjerë.


Nga ana e saj bashkëkryetarja demokrate Rudina Hajdari theksoi se nuk duam që draftet të kontestohen dhe të dërgohen në ODIHR pa pasur një konsensus mes palëve. “Nuk duam që draftet mos të pranohen. Bëj thirrje që të vazhdojmë më këtë proces zgjedhor, që është i nevojshëm në Shqipëri, që t’i krijojmë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është detyra jonë që t’u japim shqiptarëve të drejtën për votë të lirë dhe të ndershme. Memoria politike na tregon qartë se kjo ka ndodhur më para. I referohem marrëveshjes së 2008-ës, të 2017-ës apo dhe praktikës së ndërmarrë këto vite. Ajo që po kërkoj është që; ne duam që të kemi një reformim të hallkave zgjedhore. Mos të ulen vetëm dy palë (PD-PS) dhe ky ndryshim mos të bëhet vetëm për to. Mund të kemi parti te reja nesër apo pasnesër. Shqiptarët mund të duan nesër ose pasnesër një frymë të re politike. Ne duhet të krijojmë kushtet për të gjithë dhe jo kushtet për Rudinën. Aksioni ynë është që të forcojmë forcojmë demokracinë në vend dhe përmes reformës zgjedhore kjo arrihet fare lehtë” tha Hajdari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë