Ashtu siç edhe pritej, ndryshimet në Kodin Penal e hapën me përplasje seancën e pazakontë të Parlamentit këtë të enjte.
Deputetët e opozitës e cilësuan antikushtetuese, kundër rregullores dhe procedurës parlamentare përfshirjen në rendin e ditës propozimin për shndërrimin në vepër penale të shkeljes së karantinës të dënueshme deri me 15 vite burg.
Deputeti Myslim Murrizi tha se koha e vendosur për rreth 120 minuta për shqyrtimin e 23 akteve që janë në rendin e ditës është e pamjaftueshme. Ai tha se është shkelur edhe procedura, pasi rendi i ditës nuk është publikuar 48 orë më parë.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se rendi i ditës është bërë publik 24 orë më parë. Ai pranoi se rregullorja nuk është respektuar sa i përket kohës për të diskutuar çështjet, por tha se kjo diktohej nga situata e pazakontë në të cilën ndodhet vendi.
“Rendi i ditës u publikua 24 orë më parë. Në një situatë normale do t’i mirëkuptoja vërejtjet e zotit Murrizi, por ne nuk jemi në një situatë të zakonshme. Në kushtet aktuale, parlamente të BE-së kanë adoptuar qasje të ndryshme, që nga votimi në distancë, deri tek votimi në emër të grupit i kryetarëve të grupeve parlamentare”, tha kreu i Kuvendit.
Deputeti Ralf Gjoni e përqëndroi fjalën e tij tek ndryshimet e propozuara për të cilat tha se po keqpërdorej për interesat të tjera deputetja socialiste, Edlira Bode.
“Keqpërdorimi që po i bëhet një deputetje për të ndryshuar Kodin Penal për të trajtuar qytetarët shqiptarë si kriminelë…Amendamenti i zonjës Bode për të amenduar Kodin Penal është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë dhe procedurat parlamentare. Është i papranueshëm në këto kushte dhe mënyrën sesi është prezantuar vjedhurazi në Komisionin e Ligjeve. Të tregohet dinjiteti minimal dhe ta tërheqë amendimin e Kodit Penal. Të respektohet rregullorja, procedura dhe Kushtetuta”, tha ai.
Rudina Hajdari tha se mijëra qytetarë e biznese të vogla janë në një vështirësi të madhe financiare. Deputetja deklaroi se bankat vazhdojnë të kërkojnë kreditë prej klientëve të tyre si në një situatë normale, pavarësisht deklaratave të Kryeministrit Edi Rama. Edhe ajo doli kundër ndryshimeve në Kodin Penal.
“Turpi më i madh është që sot qytetari i infektuar të dalë nga shtëpia dhe të ndëshkohet me burg. Burg për Kryeministrin është zgjidhja për çdo krizë. Paturpësi për të votuar për këta qytetarë që i kemi robëruar për kaq vite dhe tani ju doni t’i çoni në burg”, u shpreh ajo.
Rendi i ditës
Parlamenti u mblodh në seancë plenare për herë të parë pas një muaji e gjysmë dhe në rend të ditës, veç akteve normative të nxjerra nga Qeveria në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së epidemisë janë edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe ato në rregulloren e brendshme të funksionimit të Kuvendit.
Propozimet për të ndryshuar Kodin Penal, duke shtuar në të shkeljen e karantinës si një vepër penale, që ndëshkohet ashpër deri në 15 vite burgim janë ato që kanë tërhequr më shumë vëmendjen dhe kanë shkaktuar më shumë debat.
Nisma është ndërmarrë nga dy deputete socialiste dhe ato propozojnë shtimin e dy pikave në Kodin Penal. Në shtesë propozohet përfshirja si kundërvajtje penale e ndëshkuar me gjobë dhe deri në një vit burg moszbatimi, apo kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet e nxjerra nga autoritetet shtetërore gjatë periudhave të epidemisë, apo të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Gjithashtu, propozohet që një person që shkel urdhrin e karantinës të dhënë nga autoritetet, në rast të shkeljes së këtij urdhri dënohet me nga 2-3 vite burg, pavarësisht nëse është bartës apo jo i një sëmundjeje infektive.
Por, debatin e ka shkaktuar propozimi që lidhet me përhapjen e sëmundjeve infektive. Sipas përmbajtjes së kësaj shtese shkelja, apo vendosja në dyshim e urdhrave të organeve shtetërore që kanë të bëjnë me parandalimin e sëmundjeve infektive, kur provohet se është shkaktuar përhapja e sëmundjes infektive nga këto veprime, apo mosveprime, por pa shkaktuar vdekje dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vite. Kur kjo vepër ka shkaktuar vdekjen e një, apo më shumë personave dënohet me burg nga pesë deri në 15 vjet.
Lidhur me këtë propozim reaguan në fillim të kësaj jave mbi 30 shoqata dhe organizata të shoqërisë civile. Përmes një deklarate ato i bënë thirrje Kuvendit që të mos i miratojë propozimet në fjalë, pasi sipas tyre shkelin liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, por edhe Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Edhe Avokati i Popullit ka dalë kundër propozimeve në fjalë duke përdorur të njëjtin argument. Sipas kundërshtarëve të draftit Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar si antikushtetuese përcaktimet që ndëshkojnë edhe me gjobë, edhe me burg qytetarët. Po ashtu, shkelje të Kushtetutës shoqëria civile dhe Avokati i Popullit gjejnë edhe tek procedura e ndjekur. Sipas tyre, Kushtetuta e ndalon shqyrtimin me procedurë të përshpjetuar ndryshimet në Kodin Penal, ashtu siç po bën mazhoranca me propozimet në fjalë.
Megjithatë, Kryeministri Edi Rama i ka mbrojtur si të domosdoshme në betejën aktuale dhe në betejat që e ardhmja mund të rezervojë për vendin në raste epidemish. Ai hodhi poshtë pretendimet e shoqërisë civile dhe kërkoi prej tyre që të kontribuojnë duke paraqitur propozimet në fjalë.
Kundër ndryshimeve kanë dalë edhe një sërë deputetësh të asaj që njihet si “opozita parlamentare”. Deputetja Rudina Hajdari thotë se gjatë një bisede të zhvilluar në distancë ka njohur ambasadoren amerikane, Yuri Kim me shqetësimin e saj në lidhje me këto propozime të mazhorancës.
“Shpreha shqetësimet e mia për gjendjen emergjente nga COVID-19, mbi ndryshimet e Kodit Penal, të cilat janë të panevojshme e sidomos përmenda faktin se këto ndryshime cënojnë Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”, shkruan ajo.
Kundër ndryshimeve janë shprehur edhe deputetë të tjerë, si Andi Përmeti, Korab Lita dhe Myslim Murrizi. Deputetët e opozitës ngrenë shqetësimin se ndryshimet në Kodin Penal mund të shërbejnë si një mekanizëm në dorën e Kryeministrit Edi Rama për të zgjeruar edhe më tej pushtetin e tij.
Ndryshon edhe rregullorja, Ruçi propozon seanca “online”
Rregullorja në fuqi e Kuvendit nuk lejon zhvillimin e seancave në distancë, apo siç njihen ndryshe seanca “online” duke shfrytëzuar kanalet e komunikimit teknologjik. Aktualisht, sipas kësaj metode mbledhjet po i zhvillojnë në shkelje të rregullores vetëm Komisionet parlamentare. Pikërisht për të ligjëruar dhe hapur dritën jeshile mbledhjeve online, në Kuvend është depozituar një amendim i rregullores së brendshme të institucionit.
Rregullorja parashikon vetëm që mbledhjet e Kuvendit, ose të organeve të tij mund të zhvillohen në selinë e Kuvendit, ose edhe jashtë selisë. Zhvillimi i mbledhjeve jashtë selisë nënkupton mbledhjen e anëtarëve të Kuvendit, ose organit parlamentar në një tjetër vend ndryshe nga vendi i zakonshëm (selia).
“Ndonëse në Rregulloren e Kuvendit gjen përcaktim zhvillimi i mbledhjeve jashtë selisë nuk gjen përcaktim zhvillimi i mbledhjeve me anë të mjeteve të komunikimit elektronik”, thuhet në relacionin shoqërues të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Ndryshimet e propozuara nuk fusin në rregullore vetëm konceptin e mbledhjeve, apo seancave plenare online, por edhe votimin e deputetëve.
“Kur mbledhjet zhvillohen në distancë me anë të mjeteve të komunikimit elektronik votimi mund të kryhet dhe me mjete të komunikimit elektronik duke siguruar autentikimin e deputetëve”, thuhet në draftin e propozuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje