Në intervistën e parë për një media shqiptare, që nga emërimi në dhjetor në krye të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Guido de Sanctis, shprehu besim të plotë tek aftësia e KQZ-së për të organizuar zgjedhje në përputhje me Kodin Zgjedhor. Ambasadori i OSBE-së foli në RTSH për emisionin “Pa Censurë” duke i dhënë rëndësi maksimale dialogut dhe besimit mes forcave politike në vend. “Mendoj se Shqipëria është një nga ato raste ku i duhet dhënë më shumë vëmendje ushqimit të besimit të ndërsjellë. Besimi i ndërsjellë mbështetet te dialogu. ne flasim me të gjithë dhe u japim të gjithëve të njëjtin mesazh. Mesazhi është se mund të ndodhë në një demokraci që të lëshohen fjalë të rënda. Kjo është normale. Ajo që nuk është normale është përdorimi i kërcënimeve, përfytyrimi i skenarëve krizash. Nuk është kjo demokracia” u shpreh Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Guido de Sanctis.
Ambasadori i OSBE e kishte qartë edhe situatën brenda opozitës dhe në të njëjtën kohë edhe zgjidhjen.
“…Mendoj se të gjithë pajtohemi që një opozitë e fortë është e nevojshme për funksionimin e demokracisë, për të miratuar ligjet, për të marrë vendimet e rëndësishme, siç e thatë edhe ju. Opozita, për mendimin tonë, duhet të gjejë një mënyrë për të shkuar përtej ndarjes aktuale. Nuk e themi se si duhet të bëhet kjo, nuk po themi që zgjidhja gjyqësore parapëlqehet ndaj një marrëveshjeje. Në vizionin tonë të një bote ideale, një marrëveshje është gjithnjë më e mirë sesa një vendim gjykate. Gjithsesi, jam i bindur që ndarja e brendshme e opozitës sot duhet tejkaluar shpejt dhe me mençuri, në mënyrë që të ketë funksionim më të mirë të demokracisë shqiptare”.
Por a ka ai komunikim me të dyja pjesët e opozitës?
“Unë kam komunikim me të gjithë përfaqësuesit e opozitës dhe, meqë ra fjala, më lejoni të them që kam komunikim me të gjithë përfaqësuesit, në përgjithësi, të të gjithë spektrit politik në Shqipëri. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, po, jam takuar me përfaqësuesit e të gjitha këtyre, t’i quajmë kështu, të të gjitha fraksioneve të palës opozitare. Kam marrë informacione tejet interesante, po ashtu kam përçuar edhe mesazhin që sapo jua thashë, që një marrëveshje do të ishte zgjidhja më e mirë. Por e kuptoj që ka një procedurë gjyqësore, prandaj askush, as qeveria, as Prezenca e OSBE-së, nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore. Është ajo që kemi mësuar në shkollë, që pushteti gjyqësor është i pavarur dhe është elementi më i rëndësishëm i zbatimit të ligjit, në cilindo vend demokratik. Pra, gjyqi do të vazhdojë dhe unë nuk komentoj mbi atë që mund të ndodhë, por ndihem i detyruar të dërgoj mesazhin e gjetjes së marrëveshjes, veçanërisht kur takoj njerëz të të gjithë fraksioneve të opozitës”.
Dhe si i përgjigjen ata mesazhit për marrëveshje në takime?
“Tani po gërmoni në biseda private, por mund t’ju them që askush nuk përgjigjet, apo ta them kështu, të gjithë pajtohen që një marrëveshje është zgjidhje më e mirë sesa një vendim i imponuar nga gjykata apo nga lart. Në teori, të gjithë pajtohen me këtë, po”.
Ambasadori i OSBE njoftoi gjithashtu se nuk vëren kushte për destabilizm, duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me një deklaratë të Sali Berishës se nëse zgjedhjet e 14 majit nuk do të jenë sipas standarteve më të larta do të ketë destabilizim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje