Politike

‘Opozitën e mundim sërish’, Rama: Taksa e jashtëzakonshme për energjinë për të rritur pagat e pensionet

Gazeta Si – Përmeti ishte ndalesë e gjatë e kryeministrit Edi Rama dhe që në fokusin e takimeve ka pasur disa takime. Lëvizja e Ramës për takimet në çdo bashki shihet si një kundërpërgjigje ndaj organizimit të opozitës, e cila kërkon të zgjedhë kandidatët për kryetarë bashkie me anë të primareve.

Kryeministri Edi Rama në takimin e pasdites në kinemanë e Qytetit me qytetarët ka folur në lidhje me investimet, reformat dhe njëherësh ka mbajtur premtime për rritje pagash.

Rama deklaroi se taksa e jashtëzakonshme ndaj prodhuesve të energjisë do të përdoret për rritjen e pagave dhe të pensioneve dhe kjo në mënyrë të qëndrueshme.

“Jemi diskutuar për vendosjen e një taksave të jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë. Jo për të marrë një shumë të konsiderueshme fondesh në të ardhurat e shtetit, por për t’i përdorur dhe për t’ia kthyer njerëzve në formën e mbështetjes financiare duke filluar me pensionistët dhe ata që janë në nevojë. Duam të jemi solidarë deri në fund, jo me fjalë por me vepra. Gjithë ai volum të ardhurash që do të merret nga ato taksa do të kthehet në mbështetje sociale dhe në mbështetje të rezistencës të gjithë këtij populli ndaj krizës dhe inflacionit të luftës”, theksoi Rama. Ndërsa bëri të ditur se do të synohet rritja e pagave në mënyrë të qëndrueshme ndër vite. “Kemi dy herë rritje të pagës  minimale në mënyrë që edhe ato që punojnë në privat të arrijnë me pagën e atyre që marrin në shtet”, theksoi Rama.

Akuzave për rritjen e të ardhurave për shkak të rritjes së çmimeve, Rama iu kundërpërgjigj se qeveria paratë po i përdor për mos rritjen e çmimit të energjisë. Ndërsa premtoi se brenda një dekade, Shqipëria synon që të jetë vend sovran për furnizimin me energji elektrike.

“Brenda kësaj dekade, Shqipëria duhet të bëhet 100% sovrane sa i përket energjisë dhe duhet të jetë eksportuese neto. Pra jo më Shqipëria të blejë energji, por të ketë atë që i duhet për vete dhe pjesën tjetër ta shesë jashtë. Kjo do ketë dy faza, faza e parë, mbulimi i këtij 25% do jetë brenda 2026 dhe do mbetet vetëm pjesa tjetër për vitet e thata kur akoma do na duhet të importojmë. Kemi hyrë në tjetër nivel dhe sa i përket kontekstit rajonal sepse me riadaptimin e TEC-it të Vlorës dhe përfshirjen e kompanisë amerikane për ta kthyer atë në një pikë të prodhimit të energjisë me gazin e lëngshëm dhe investimin për të lidhur edhe atë tubacion me TAP, ne marrim një tjetër fuqi në vitet që vijnë”, u shpreh kryeministri.

Rama më pas theksoi se Partia Socialiste do ta mundë sërish opozitën, duke e cilësuar si të rublave. “Këta i kemi munduar disa herë, por do t’i mundim prapë. Jo për veten tonë, dhe jo si një ndeshje basketbolli apo volejbolli, por sepse Shqipëria dhe Përmeti dhe është fshati më i largët atje kanë nevojë për ne. Dhe ne jemi këtu për gjithë ata që kanë nevojë ta ndjejnë veten gjithmonë dhe më shumë zot në vendin e tyre, e se ardhmja ndërtohet me duart e tyre. ”, theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë