Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, ka parë atë gotën gjysmë bosh kur komentoi ecurinë e reformës në drejtësi gjatë një fjale të mbajtur në Kuvend kur po diskutohej mocioni me debat për integrimin kërkuar nga Enkelejd Alibeaj.
“Ne duhet të jemi më modestë, t’i lexojmë mirë adresimet e rekomandimet të reflektojmë e zbatojmë. Ky raport hapës i negociatave ka vlerësime pozitive për zhvillimet në drejtësi.
Përtej këtij vlerësimi pozitiv duhet të lexojmë kritikat se s’ka aspak vend për eufori, gjyqësori kriteri kyç për anëtarësimin. Kuvendi është vendi kryesor ku janë të përfshira mazhoranca e opozita dhe ku debatohet e reflektohet për zbatimin e reformës në drejtësi.
Ka vend për të reflektuar seriozisht për këto përgjegjësi. Kuvendi e strukturat e tij nuk janë noteri legjislativ e nuk mund të shërbejnë si vendi ku bëhen qoka politike e buxhetor apo miratohen ndryshime që plotësojnë ambicie për më shumë pushtet brenda sistemit të disa drejtuesve të disa institucioneve të reja të tij apo kërkesave për privilegje shtesë për disa prej tyre apo peng i një procesi formal llogaridhënie të finalizuara me rezoluta formale. Ka nevojë të ndryshojë metodologjia e procesi i llogaridhënies”, renditi Xhafaj.
Përgjegjësia kryesore në këtë rrugëtim me sfidat e integrimit, sipas tij, i mbetet institucioneve të drejtësisë.
“Çështja shtrohet sa organet e qeverisjes së sistemit po justifikojnë këtë përgjegjësi kushtetuese përballë qytetarëve, perceptimet jo pozitive të krijuara apo pritshmëri të paarritura ende janë ndihmuar e nga disa probleme në menaxhimin e procesit të zbatimit të reformës nga një qasje jo fort e shëndetshme nga disa prej drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë.
Ka ardhur koha që KLGJ, KLP, prokurori i përgjithshëm, SPAK, BKH e ILD duhet të marrin përgjegjësitë publike përballë qytetarëve. Kuvendi duhet të përfshihet shumë më aktivisht në këtë proces, pritshmëritë kalojnë përtej kësaj.
Kjo do të thotë që zonja Llagami, Balla, Cela, Kraja, Hajnaj, Metani duhet të dalin përballë publikut e të dëshmojnë çfarë po bëjnë, cilat janë rezultatet e institucioneve që drejtojnë.
Cilat janë reflektimet e përgjegjësitë për problematikat e kryesorja për pritshmëritë e qytetarëve ndaj tyre e sa janë realisht të pavarur në ushtrimin e detyrave të tyre.
Ka sot 3 kandidatë për drejtuesin e ri të SPAK. Gjë e mirë që ka tre njerëz që kërkojnë me inisiativë e shpresoj të pandikuar e pambështetur në purtek votash të bëhen drejtues të SPAK. Tre prokurorë që po duan të garojnë të marrin përsipër një barrë kaq të madhe pritshmërishë publike”, vijoi ai.
“Detyra e këshillit por dhe Kuvendit të përfshihet për ta monitoruar që në fazën e premtimeve e nesër në ushtrimin e përgjegjësive ndryshe çdo të mbjellim do të korrim.
Nëse sot ka presione publike nga politika me zë e figurë ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, gjyqtarëve e prokurorëve, e për vendime të caktuara, kush do reagojë për kritikat e rekomandimet?”, pyeti Xhafaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje