Futboll

Ozil provokon sërish Gjermaninë, mban simbolet e Turqisë në varëse

Tjetër provokim për Gjermaninë nga futbollisti Mesut Ozil, i cili është i lidhur fort me vendin e origjinës, Turqinë. Debati dhe polemikat mes tij dhe gjermanëve janë të njohura tashmë. Ato nisën verën e kaluar, pas fotografisë së lojtarit me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Sulmet ndaj mesfushorit u shtuan gjatë Botërorit të Rusisë dhe më pas Ozil i dha lamtumirën kombëtares gjermane, duke lëshuar një lumë akuzash. Disa drejtues të rëndësishëm, mes tyre edhe Kancelarja Angela Merkel, e mbështetën fillimisht dhe më pas ndryshuan qëndrim.

Mesut Ozil polemizoi fuqishëm me Federatën e Gjermanisë, duke e akuzuar se nuk e mbrojti nga sulmet e ndryshme. Fantazisti i akuzoi drejtuesit gjermanë edhe për racizëm dhe mungesë respekti ndaj tij. Edhe pse lojtari i Arsenalit ishte ndër protagonistët e fitimit të Kupës së Botës në 2014-ën në Brazil, raporti i tij me Gjermaninë ka ardhur duke u përkeqësuar. Në ndeshjet e fundit me fanellën e kombëtares, Ozil vërshëllehej shpesh nga tifozët e vet, çka solli më pas largimin e tij nga ekipi.

Mesut Ozil

Sikur të mos mjaftonin të gjithë këto, për t’i hedhur “benzinë zjarrit” ka menduar vetë Ozil. Mbrëmjen e së enjtes, para ndeshjes së Europa League të Arsenalit me Valencian, Ozil ka tërhequr vëmendjen, siç bën të ditur “Sun”, me një varëse të re, ku mbante simbolet e Turqisë. Mesfushori e ka vlerësuar gjithmonë vendin e tij të origjinës. Në mars ai e ftoi presidentin Erdogan në dasmë, duke konfirmuar miqësinë me numrin 1 të Turqisë. Varësja që Ozil mbante para ndeshjes me Valencian ishte akti i radhës, që tregon se ai e ka harruar Gjermaninë dhe se është shumë më i lidhur me Turqinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë