Lulzim Basha e interpretoi si propagandë elektorale premtimin e Edi Ramës për “rritje të konsiderueshme” pagash për mjekët dhe infermierët. Sipas kreut të PD-së me Ramën në krye të Qeverisë rritja e tyre është e pamundur.
“Rritja e pagave të mjekëve dhe infermierëve është jetike, por ajo duhet të jetë reale dhe jo elektorale. Kjo qeveri është treguar mosmirënjohëse me mjekët dhe infermierët edhe gjatë pandemisë. Pa asnjë vonesë tjetër, qeveria Rama duhet t’u japë atyre shpërblimin e premtuar prej 1000 euro. Stafet mjekësore janë profesioni më jetik i vendit. Atyre ju detyrohemi vepra dhe jo premtime të pa mbajtura. Kjo është e pamundur sa kohë që kemi një qeveri që i çon paratë e taksave të shqiptarëve tek koncesionet korruptive, dhe shpenzimet për shëndetin publik janë më të ulëtat në rajon”, deklaroi kreu i PD-së.
Ndryshe nga Rama, që një ditë më parë nuk dha një shifër, por tha se brenda dy javëve Qeveria do të vendosë për sasinë e rritjes së pagave në sistemin shëndetësor, Basha flet me shifra konkrete, që sipas tij janë plotësisht të realizueshme nëse anulohen koncesionet, që i quan korruptive në shëndetësi.
“Ne do t’i anulojmë koncesionet korruptive dhe paratë do të përdoren për mbështetje reale për mjekët dhe infermierët, me rritje pagash, me pajisje dhe kushte më të mira për t’ju shërbyer qytetarëve. Me planin tonë ne do të mundësojmë ndryshimin e madh në shëndetësi me paga dinjitoze të niveleve rajonale për ta: 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje