Politike

Pagesat e hoteleve të Klodian Zotos për Arben Ahmetajn, reagon PD. Por kë kurseu Sali Berisha?   

Rrjedhja e dosjes së inceneratorit të Elbasanit të hetuar nga dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi nga disa media të caktuara në vend ku përfshihen disa llogari bankare dhe transferta të  njërit prej personave në kërkim Klodian Zotos për qëndrimin në disa hotele luksoze të Arben Ahmetaj kur ishte  ministër u kalua në heshtje për disa ditë nga opozita.

Konkretisht nga Partia e Lirisë që është denoncuesja kryesore e skemës së inceneratorëve dhe më pas nga PD.

Të hënën në mesditë, përmes një deklaratë të posaçme për mediat, Sali Berisha ka denoncuar rastin në fjalë, por duke qëndruar i kujdesshëm në raport me prokurorët që janë sulmuar së fundmi.

Berisha madje ka kursyer deri diku edhe Arben Ahmetajn (duke e cilësuar thjesht ndërmjetës) kur flet për “peshkun” i madh Edi Rama dhe luftë të brendshme në SPAK për interesat e partisë.

    “Punonjësit e kompanisë Rama-Agaçi-Ahmetaj-Veliaj, kanë financuar vizitat turistike, netët e luksit në hotelet me pesë yje të Arben Ahmetajt, asokohe ministër i Ekonomisë, sigurisht jo me para të veta, por të sipërmarrjes qeveritare të vjedhur nga taksapaguesit shqiptarë.

Klodian Zoto, ka paguar me kartën e vet të kreditit, të paktën në pesë raste të raportuara qëndrimin në hotele me 5 yje të Arben Ahmetajt.

Kjo vërteton plotësisht deklaratën e PD-së dhe opozitës, e cila ka denoncuar me kohë skemën e mega-vjedhjes së 430 milionë eurove.

Arben Ahmetajt dhe shefi i tij, Edi Rama, kanë rolet më kryesore në këtë aferë.

I pari Edi Rama, përmes firmave që ka hedhur, dhe përdorimit të shefit të tij, Engjëll Agaçit, ka qenë njeriu më kryesor i të gjithë procesit korruptiv.

Pra, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, me Edi Ramën në krye, që kanë përfituar nga kjo mega-aferë korruptive.

Edi Rama, në kundërshtim me ligjet e vendit, në kundërshtim me opinionin e Agjencisë së Prokurimeve Publike, ka firmosur kontratën me negociatat të mbyllura, në mënyrë antiligjore.

I dyti, Arben Ahmetaj, përmes njohjeve me të kërkuarit e drejtësisë, gjë që e ka mohuar vazhdimisht, ka luajtur rolin e ndërmjetësit sipas një skeme të qartë piramidale”, tha Berisha.

Sipas Berishës, “Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere”

“Arben Ahmetaj është personi që së bashku me Edi Ramën, kanë firmosur vjedhjen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Nuk është rastësi që ministri më i fuqishëm i Ramës, Tigri i oborrit, rrëzohet në të njëjtën makinë me Zoton e tij, dhe fle në të njëjtin hotel luksoz me këtë person.

Askush të mos gënjehet. Hotelet e shtrenjta nuk janë paguar me kartat e kreditit të Zotos. JO! Ato janë para të taksapaguesve shqiptarë, që Rama ua merr dhe ua kalon vetes, ministrave dhe hajdutëve të oborrit.

Këto para kanë ikur për blerjen e votave, për lobimet korruptive ndërkombëtare dhe për blerjen e drejtësisë”.

Berisha tha se peshku i madh është Rama dhe se, “dokumentet dolën nga lufta e brendshme në SPAK-un e partisë”

“Dokumentet e publikuara në kuadër të luftës së brendshme, kanë qenë në dosje dhe nuk janë marrë parasysh, tregon se ky është SPAK-u i partisë, i kontrolluar çdo ditë nga Edi Rama.

Askush nuk duhet të harrojë se mijëra euro në hotelet luksoze janë një pikë në oqean para milionave të vjedhura ku lundrojnë Rama dhe ministrat e tij.

Zoto është peshku i vogël, peshku i madh, Edi Rama, fluturon me çarter me dhomë gjumi luksoze.

Prandaj edhe dy ditë, përpara 8 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Korrupsionit, Shqipëria ngjitet në majë të shkallares së turpit përsa i përket vjedhjes dhe kapjes së shtetit.

Të gjitha këto janë apel për çdo qytetar shqiptar, të ngrihet me guxim për të rrëzuar këtë qeveri që vjedh dhe vetëm vjedh”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë