Futboll

Pak shpresë për Serinë A, Konte: S’ka garanci për momentin

Qeveria italiane ka ende dyshime për rifillimin e kampionatit të futbollit. Në vendin fqinj ka nisur Faza 2, që parashikon lehtësimin e masave shtrënguese, por kreu i qeverisë, Xhuzepe Konte, gjykon se ende nuk është garancia e duhur për të dhënë “ok”-in e rifillimit të ndeshjeve.

“Kemi aprovuar dekretin e Fazës 2, duhet ta përballojmë me vullnet dhe kujdes. Të dhënat janë inkurajuese, sforcoja e njerëzve ka dhënë rezultatet e pritura. Jemi në kushtet për ta kaluar Fazën 2 me besim dhe përgjegjësi. Kemi një plan monitorimi, me informacione të përditësuara që vijnë nga rajonet e ndryshme, kështu kemi nën kontroll kurbën e të infektuarve dhe mund të ndërhyjmë në mënyrë lokale. Rajonet duhet të bashkëpunojnë, duke ndjekur protokollin. Po përballojmë një rrezik të vetëdijshëm që kurba mund të rritet sërish. Duhet ta pranojmë, në të kundërt nuk mund të kthehemi si më parë”, – ka thënë kryeministri italian.

Kurse për pjesën e futbollit ai ka sqaruar: “Nga e hëna lejohet stërvitja e sporteve ekipore, pra edhe e futbollit. Rifillimi i kampionatit? Ka dyshime, ministri Spadafora është shumë i përgjegjshëm. Është e nevojshme që të plotësohen kushtet për rinisjen, duhet siguri maksimale. Për të dhënë një datë duhet garanci, që për momentin nuk është, me sa na është thënë”. Nga kjo deklaratë e kryeministrit Konte duket ende e largët dita e rifillimit të Serisë A.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë