Bota

Pako me uranium në aeroportin Heathrow, mund të përdorej për një ‘bombë të pistë’

Gazeta Si – Alarm bërthamor në Londër. Një pako që përmbante uranium radioaktiv, u kap më 29 dhjetor në aeroportin ndërkombëtar Heathrow.

Materiali kishte mbërritur nga Pakistani përmes një avioni nga Omani dhe ishte i destinuar për një kompani iraniane në Britaninë e Madhe.

Nuk është uranium i pasuruar, i nevojshëm për të prodhuar një bombë atomike, por dyshohet se mund të ishte përdorur për një “bombë të pistë”, ku eksplozivi përzihet me pluhur radioaktiv që mund të lëshojë një re vdekjeprurëse.

Policia britanike Scotland Yard, konfirmoi se ishte kontaktuar nga Policia Kufitare, pasi “një sasi e vogël e materialit të kontaminuar u identifikua pas një kontrolli rutinë në një parcelë që mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar”. Megjithatë, prestigjiozja “Daily Mail”, raportoi se një burim foli për “disa kilogramë uranium”.

Antiterrorizmi tashmë po heton ngjarjen. “Ka një garë me kohën për të gjurmuar të gjithë njerëzit e përfshirë, – i tha gazetës “The Sun” një burim nga aeroporti i Londrës. Zyrtarët e sigurisë po e trajtojnë këtë çështje me gjithë seriozitetin që meriton. Ky është tani një operacion kundër terrorizmit: ka shqetësime serioze se çfarë duan të bëjnë iranianët që jetojnë këtu me këtë material bërthamor klandestin”.

“Që uraniumi shfaqet në një fluturim të planifikuar nga Pakistani në një adresë iraniane në Britani, është shumë e dyshimtë”, – tha ish-shefi britanik i Mbrojtjes Atomike, Hamish De Bretton-Gordon: “Kërcënimi bërthamor nuk është se kurrë nuk ka qenë kaq i lartë, – shtoi ai. – Uraniumi mund të lëshojë nivele shumë të larta rrezatimi, mund të përdoret për një bombë të pistë. Por lajmi i mirë është se sistemi i kontrollit funksionoi”.

Rreth njëzet vjet më parë, shërbimet sekrete të Londrës, kishin paralajmëruar se ishte vetëm “çështje kohe” para se të nisej një sulm me një “bombë të pistë” ose material kimik kundër një qyteti perëndimor.

Raportet e inteligjencës sugjeruan se “shkencëtarët mashtrues” u kishin dhënë terroristëve informacionin e nevojshëm për të prodhuar pajisje të tilla.

Por në realitet, deri më tani, ka qenë Rusia e Putinit ajo që ka kryer sulme me armë jokonvencionale në tokën perëndimore.

Fillimisht ishte helmimi në Londër me polonium radioaktiv në vitin 2006, i Aleksandër Litvinenkos, ish-agjentit të KGB-së që kishte shkuar në Perëndim, më pas sulmi nervor kundër Serghej Skripal, një agjent tjetër të dyfishtë dhe vajzës së tij, që ndodhi në Salisbury në vitin 2018.

Në rastin e fundit, humbi jetën një grua që kishte prekur një shishkë helmuese të braktisur në një park nga agjentët e Moskës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë