Në mbledhjen e 13 shtatorit në komisionin e Ligjeve, Romina Kuko po rendiste pa ndonjë nerv dobitë e një projektligji për bashkëpunimin mes qeverisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kundër terrorizmit, kur nga salla një prej deputetëve i preu hovin.

Pak u dëgjua prej tij nga fonia e dobët e mbledhjes së komisionit të transmetuar në Facebook nga Kuvendi, por kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, (aktive në tre projektligjet që po diskutoheshin) u dëgjua bollshëm dhe aq sa duhej kur iu përgjigj.
Ajo nuk po fliste për një nga pikat e rendit të ditës që kishte renditur që në fillim të mbledhjes.
Por për një tjetër çështje jashtë saj që u mbyll pa filluar mirë.

Bushka përmendi nevojën për ndryshime në paketën e reformës në drejtësi pas raportimeve për përmirësim nga krerët e institucioneve të pavarura, pa specifikuar konkretisht.
“…Eshtë ngritur një grup pune me përfaqësues nga PD dhe PS që po punon së bashku me ekspertët dhe partnerët ndërkombëtar për adresimin e këtyre shqetësimeve”, tha shkurt Bushka. Pjesë e grupit të punës, sipas saj, ishin ajo, Toni Gogu dhe Klevis Xhoxha si dhe dy përfaqësues nga Partia Demokratike, Gazmend Bardhi dhe Dhurata Çupi.
Pas deklaratës së beftë të saj askush prej palëve nuk foli. Çështja më e rëndësishme që rihapet pas 6 vitesh nga miratimi i paketës së parë të reformës në drejtësi u mbyll po aq zellshëm sa projektligji i bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara.
Krejt e kundërta nga 6 vjet më parë.
Deklarata e Bushkës nuk u pasqyrua as në njoftimin e mëvonshëm të Kuvendit për mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Më herët, RTSH njoftoi se kishte parë propozimet e institucioneve të drejtësisë për ndryshime, ku binte në sy kërkesa për t’u dhënë prokurorëve të posaçëm dhe drejtuesit të SPAK-ut të drejtën të rikandidojnë, (temë e prekur edhe nga Arben Kraja në një interviste të tij për RTSH) ndërsa Prokurorit të Përgjithshëm, Olsi Çela t’i rriteshin kompetencat, që iu hoqën si organ 6 vjet me parë po nga paketa e reformës në drejtësi.

Grupi i punës kishte marrë sugjerime të shumta nga institucionet kryesore të drejtësisë. SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli I Lartë I Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës.
Për të kaluar ndryshimet duhen nërhyrje në 6 nga 7 ligjet e reformës në drejtësi.

Një paketë e plotë propozimesh që kësaj here ka ngritur edhe një grup pune përbërja e të cilit nuk duhet anashkaluar.
Me tre anëtarë nga PS, dhe dy nga PD asaj që nuk mbështetet nga “Rithemelimi” (Dhurata Çupi dhe Gazment Bardhi).
Mbetet jashtë edhe Partia e Lirisë.
Gazeta “Si” kontaktoi me pjesën “tjetër” të PD-së atë të “Rithemelimit” por ende nuk kanë një qëndrim zyrtar për këtë çështje.
Edhe kreu i PD-së, Sali Berisha nuk e përmendi këtë zhvillim të rëndësishëm në konferencën e të premtes edhe pse ai nuk lë pa përmendur (kur do) deri edhe detaje që kanë pak ose aspak rëndësi për opinionin publik.
A është anashkalimi nga ana e tij e kësaj çështje një konsensus i heshtur apo gjithçka pritet që t’i lihet kohës dhe zhvillimeve politike në vend?.
Eksperienca e deritashme ka treguar se votat për çështje të rëndësishme përdoren për pakte po aq të rëndësishme politike
Për të kaluar ndryshimet ligjore të reformës në drejtësi nevojiten së paku 84 vota.
Disa prej tyre do të kërkojnë edhe ndërhyrje në Kushtetutë pra 94 vota.

Që do të thotë se për të kaluar paketën e re volitet një konsensus përtej grupit “Alibeaj”
Enkelejd Alibeaj, në takimin që zhvilloi me ambasadoren amerikane Yuri Kim, nuk e përmendi në veçanti diskutimin për ndryshimet në reformën në drejtësi.
As Taulant Ballla në njoftimin për takimin veçmas që zhvilloi me ambasadoren Yuri Kim. Por kjo e fundit po.
“Ajo (Yuri Kim) theksoi gjithashtu që tani është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Parlamenti e kaloi njëzëri në 2016 dhe që po fillon të tregojë rezultate…”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ambasadës amerikane publikuar në Facebook pas takimeve të veçanta që ambasadorja Yuri Kim zhvilloi me Enkelejd Alibeajn dhe Taulant Ballën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje