“Martesa” e Zinedin Zidan me Real Madridin është e destinuar të zgjatë të paktën dhe një vit tjetër. E shkruan me bindje të plotë “Marca”, që gjithmonë është e informuar saktë për atë që ndodh në klubin e madh madrilen.
Sipas të përditshmesh spanjolle, trajneri francez dhe presidenti Florentino Perez kanë bërë një “pakt të hekurt” për objektivat e sezonit të ri dhe për merkaton e verës. Sintonia është e plotë dhe trajneri Zidan ka rënë dakord për një merkato pa emra të mëdhenj gjatë kësaj vere. “Zidan është një bekim për Real Madridin”, – thoshte pak ditë më parë presidenti Perez. Një vlerësim për francezin, që largonte çdo dyshim për qëndrimin e tij në Madrid, pasi Zidan kishte lënë dyert hapur për çdo perspektivë, kur shprehej “në jetë nuk i dihet asnjëherë”.

“Marca” garanton se është vendosur gjithçka me mirëkuptimin e të dyja palëve. Zidan ka një kontratë deri në viti 2022, kështu që nuk ishte nevoja për ndonjë konfirmim nga ana e drejtuesve të klubit. Gazeta spanjolle saktëson se ai nuk pati asnjë problem kur la stolin madrilen në vitin 2018, pavarësisht se ishte ende nën kontratë. Fjalët e Florentino Perezit shërbejnë për të forcuar një lidhje, që pas fitimit të titullit, duket më solide se kurrë. Edhe më solide se sa ishte pas fitimit të tre trofeve të Ligës së Kampionëve radhazi. Kjo për vetë faktin se këtë vit kampionati ishte prioritet absolut.
Zidan ka pranuar pa iu dridhur qerpiku edhe faktin se këtë herë fushata e blerjeve do të jetë më e varfër, me lojtarë profili më të ulët se sa Reali bën zakonisht. Drejtuesit i kanë komunikuar francezit se këtë verë nuk do të ketë shpenzime të çmendura. Shqetësimi i parë ka të bëjë me zgjidhjen e çështjeve të Hames Rodrigues dhe Gereth Bejl, të cilët Zidan i ka jashtë projektit të tij prej kohësh. Kështu, Reali mund të mbushë arkën nga shitjet.
Në listën e atyre që do largohen janë edhe Odriozola, Joviç dhe Mariano. Është edhe Brahim Diaz, të cilit Zidan do t’i japë shansin të luajë më shumë dhe pritet që klubi ta huazojë. Diçka do të bëhet edhe për blerjet, sigurisht, por pa shpenzuar shumë. Trajneri mendon se ka një grup të aftë që të luftojë në të gjitha frontet. Në Madrid besojnë verbërisht tek udhëheqësi i tyre në stol.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje