E vetmja maskë e lajmit të Lulzim Bashës me përfaqësues të biznesit të vogël në rrugët kryesore të Tiranës ishte ajo e mbajtur prej tij, për shkak të masave, që të imponon pandemia kur takohesh me shumë njerëz.
I vetëm, dhe i cënueshëm nga shumë syresh, shoqëruar nga pas me një kamer të PD-s, Lulzim Basha vuri në plan të parë, ata, njerëzit, që flisnin pa doreza e maska (në kuptimin figurativ) për situatën në të cilën ndodhen plot dy muaj e pak nga masat që ka ndërmarrë qeveria si pasojë e Covid-19. Deri tani qeveria ka lëvruar dy paketa ndihme ekonomike dhe ka paralajmëruar një të tretë…
…Në përfundim të xhiros një ditore, Basha arriti në përfundimin se, “biznesin mbi të gjitha po e dëmtojnë rëndë taksat, tatimet, si edhe rënia e konsumit për shkak të pandemisë ekonomike”.
Për këtë çështje, ai mblodhi edhe aleatët në selinë blu. Në takim u diskutua për përgatitjen e një platforme të re ekonomike nga ana e opozitës si dhe intensifikimi i takimeve me qytetarin, atje ku qëndron edhe kriza. Burime zyrtare i thanë gazetës “Si” se Basha do të inicojë një tur takimesh me njerëz nëpër rrethe, pikërisht për ekonominë.

PD pritet të fokusohet tek pasojat ekonomike të pandemisë bazuar tek shifrat e ndihmës, sa përfituan, sa duhej dhe si ndikoi kjo situatë tek vendet punës. Në këtë logjikë politike pati tre zëra reagimesh (Bardhi, Alibeaj, Tabaku) brenda dy orësh pas përfundimit të takimit me aleatët, të martën.
Kryeministri ka edhe një pseudonim të ri nga PD-ja; “Ramavirusi”.

“41.5 milionë euro ka dhënë Edi Rama për 3 milion shqiptarë. Ndërkohë, kaq i ka dhënë qeveria oligarkëve të vet për 2 km rrugë tek Unaza e Re”, tha Basha gjatë takimit me aleatët.
Basha e ka përmendur disa herë këtë deklaratë. Sepse nuk do të heqin dorë as nga “oligarkët” e “konçesionet”. E reja e demokratëve do të jetë analiza e shifrave të ndihmës me efektet që solli në terren.
“Kemi humbur 10-fishin e vendeve të punës, në krahasim me vendet e rajonit, që do të thotë më shumë varfëri, më pak zhvillim…”, shkruan Gazment Bardhi duke krahasuar shifrat e Shqipërisë me ato të Maqedonisë dhe Serbisë. Dhe kur flasim për shifrat, PD-ja këmbëngul tek të sajat.
“…Le të marrim Kosovën, përmes formalizimit kryesisht ka shënuar 6 mijë vende të reja pune gjatë këtyre dy muajve. Vetëm sipas Tatimeve ne kemi humbur 10 herë më shumë, 61 mijë vende pune. Duke patur parasysh shkallën e informalitetit, numri i atyre që përllogariten të kenë humbur punën, është dy herë më i madh. 120 mijë të shpunësuar për 8 javë për një popullsi me 2.8 milionë, kjo nuk është një shifër, është një tmerr…”, është shprehur Basha.
Për të shkuar tek thembra e Akilit, (ekonomia), Partia Demokratike qartazi po ndryshon strategji të fokusit. Më shumë për ekonominë, papunësinë, nivelin e jetesës, sesa për kite e testime.

Në 10 ditëshin e fundit, Lulzim Basha ka zhvilluar takim me gjithë spektrin e prekur. Nga denoncimet virtuale apo deklaratat për shtyp përmes Skype, Basha ka zbritur tek problemi në terren.
Ai e ka filluar me drejtuesit e shoqatës së Fasonëve. Basha ka kërkuar mbështetje financiare nga ana e qeverisë për këtë kategori që rendit 70 mijë punonjës të punësuar. Sipas Bashës, qeveria i ka shtyrë fasonët drejt mbylljes, pa patur detyrimin për t’i mbështetur financiarisht punonjësit e tyre.

Ai ka mbështetur gjithashtu kërkesat e Këshillit të Agrobiznesit, duke ndarë shqetësimin se prodhuesit po konkurohen nga produktet e importit që vijnë të subvencionuara nga vendet e origjinës. PD ka kërkuar më së shumti financimin me grante për të gjithë ata fermerë që kanë pësuar humbje nga situata e pandemisë së Covid-19. Basha ka konsideruar të drejta edhe shqetësimet e ngritura nga Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.
Kryetari i PD-së zhvilloi një takim të gjatë me kryesinë e Shoqatës Kombëtare të Biznesit të Vogël. Kryetari i shoqatës, Albert Naste, do të shprehej pas takimit me kryetarin e opozitës se, vetëm 45% e biznesit e ka marrë ndihmën nga ana e qeverisë. “Janë 250-300 mijë të punësuar në biznesin e vogël. Çfarë do të bëjmë ne?”. Nga ana e tij, Basha mbështeti fort kërkesën kryesore; që pushteti lokal të përjashtonte biznesin e vogël nga taksat dhe tarifat vendore përsa kohë zgjat pandemia.

Edhe përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit kanë parashtruar kërkesat e tyre. PD-ja mbështet disa prej tyre që kryesisht konsistojnë në subvencionimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe anulimin apo shtyrjen e detyrimeve tatimore qendrore dhe lokale, të cilat vijojnë rregullisht, si në kohë “paqeje”…

… Jorida Tabaku është shprehur disa herë se, qeveria do të paguajë për konçesionet 120 mln euro nga buxheti i shtetit dhe se ato me pagesën më të madhe vetëm për këtë vit do të jenë: Koncesioni i laboratorëve me vlerë 13.6 mln euro, koncesioni i Rrugës së Arbrit 21 mln euro, koncesioni i tre inceneratorëve me vlerë 18 mln euro. PD-ka kërkuar pezullimin e tyre me argumentin se ato mund të rialokohen për shpenzimet e shtuara spitalore, njerëzit dhe bizneset e vogla, në nevojë urgjente për ndihmë nga shteti…
…Gjatë dy muajve pandemi, PD-ja ka propozuar një paketë alternative ekonomike. Në muajin mars, Basha hodhi disa propozime që u kundërshtuan në bllok nga kryeministri Rama kryesisht për faturën e lartë që e shoqëronte. PD-ja kërkoi pezullimin e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë dhe biznese) në kohë pandemie; pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (dhe shlyerja e këtyre pagesave të bëhej me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse); përjashtimin nga tatim-fitimi për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj për të gjitha subjektet; përjashtim nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore dhe rishikimin e buxhetit.
Ndyshe nga Rama sipas të cilit kjo paketë kishte faturë financiare 1 miliard e 177 mln euro, Basha tha se ajo shkonte vetëm 90 mln euro në muaj…
Lufta e shifrave vijon…Për sa kohë jemi në pandemi, dhe me një tur të ri të Lulzim Bashës…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje