Politikanët dhe zyrtarët flasin shpesh për mënyrën se si Covid-19 ndikon në shëndetin publik dhe ekonominë. Por për shumicën e njerëzve e rëndësishme është gjendja e tyre shpirtërore, ndjenja e të qenit e shqetësuar dhe e trishtuar, ose, nëse janë me fat, të gëzuar dhe optimistë. Për të shënuar Ditën Botërore të Lumturisë në 20 Mars, studiuesit nga Programi i Bashkëpunimit për Zhvillim të Vazhdueshëm janë përpjekur ti identifikojnë këto gjendje shpirtërore dhe të shqyrtojnë se si i ka ndryshuar pandemia.
Gallup, një kompani amerikane që bën analiza dhe sondazhe, ka bërë të njëjtat pyetje në shumë vende. I kanë pyetur njerëzit se si e kanë jetën në një shkallë nga një në dhjetë. Dhjeta përfaqëson jetën më të mirë ndërsa shkalla një jetën më të keqe.
Përgjigjet e njerëzve ndaj kësaj pyetjeje, të njohur si një shkallë Cantril, sugjerojnë (tepër çuditërisht) se bota ishte po aq e lumtur nën dhëmbët e një pandemie të tmerrshme sa ishte para saj. Rezultati mesatar në të gjithë 95 vendet, jo i llogaritur nga popullsia, u rrit nga 5.81 në 2017-2019 në 5.85 në 2020. Por modeli i kënaqësisë nga jeta ka ndryshuar. Covid-19 i ka bërë njerëzit e moshuar më të gëzuar.
Covid-19 prek të moshuarit shumë më tepër sesa të rinjtë. Megjithatë të moshuarit janë të gëzuar. Globalisht, midis 2017-2019 dhe 2020 lumturia u rrit me 0.22 pikë në shkallën Cantril midis njerëzve mbi moshën 60 vjeç. Celina Beatriz Gazeti dos Santos, një psikologe 64-vjeçare në San Paulo, bën një listë të gjërave që mund të dëmtojë lumturinë e saj sic janë pandemia, korrupsioni i përhapur, një qeveri e papëlqyeshme, trishtimi i të tjerëve e, megjithatë, ajo e shpall veten gjithnjë e më të lumtur dhe optimiste.
Interneti dhe lidhjet me telefona u kanë mundësuar shumë të moshuarve që të qëndrojnë në kontakt me familjet e tyre, ndonjëherë më mirë sesa para pandemisë. Në vendet e mbyllura, ata kanë kënaqësinë të dinë se shoqëria bëri sakrifica për t’i mbrojtur ata. Siç thekson John Helliwell, një ekonomist në Universitetin e British Columbia i cili shkroi një pjesë të Raportit Botëror të Lumturisë, të moshuarit ndjehen më të shëndetshëm. Globalisht, 36% e burrave mbi moshën 60 vjeç thanë se kishin një problem shëndetësor vitin e kaluar, nga një mesatare prej 46% në tre vitet e mëparshme. Në mesin e grave, përqindja me probleme shëndetësore ra nga 51% në 42%. Njerëzit e moshuar ndoshta nuk janë në të vërtetë më të shëndetshëm. Përkundrazi, covid-19 ka ndryshuar standardin. Ata ndihen më të shëndetshëm sepse kanë shmangur një sëmundje që mund t’i vrasë.
Ndërkohë të rinjtë kanë pasur një vit të ashpër. Shumë humbën punën e tyre, në Amerikë shkalla e papunësisë për njerëzit e moshës 20 deri 24 vjeç u rrit nga 6.3% në shkurt 2020 në 25.6% dy muaj më vonë (u rikthye në 9.6% muajin shkurt). Në disa vende të pasura vajzat e reja e kanë pasur veçanërisht të vështirë pasi shumë punë janë mbyllur.
Të rinjtë gjithashtu kanë një jetë aktive dhe sa më shumë miq të kesh pasur para pandemisë, aq më të trishtuar kanë qenë gjatë pandemisë.
Një studim i Britanisë nga Ben Etheridge dhe Lisa Spantig, të dy në Universitetin e Essex, zbuloi se vajzat dhe djemtë me të paktën katër miq të ngushtë ishin më të trishtuar se të tjerët gjatë izolimit të pranverës 2020.
Ndërsa lumturia e britanikëve ra në vitin 2020, Gjermania u rrit nga të qenit vendi i 15-të më i lumtur në botë në të shtatin më të lumtur. Britania ka duruar izolime të gjata dhe një vdekshmëri prej 190 për 100,000 njerëz që nga fillimi i pandemisë. Shkalla e vdekshmërisë në Gjermani është vetëm 77 për 100,000. Për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, Gjermania luftoi me covid-19 shumë më mirë se shumica e Europës.
Në mënyrë të habitshme, vendet që ishin në krye të grafikut të lumturisë përpara pandemisë mbeten atje. Tre vendet me renditjen më të lartë në vitin 2020 Finlanda, Islanda dhe Danimarka ishin midis katër më të mirëve në 2017-2019.
Gjetja më intriguese në Raportin Botëror të Lumturisë është që disa lidhje midis Covid-19 dhe lumturisë veprojnë në të dy drejtimet. Autorët nuk sugjerojnë që lumturia i ndihmon vendet t’i rezistojnë covid-19. Përkundrazi, ata argumentojnë se një nga gjërat që mban lumturinë kombëtare gjithashtu i bën vendet më të mira në trajtimin e pandemive. Ajo gjë është besimi. Sondazhet nga Gallup tregojnë se shumë prej vendeve që kanë përballuar më së miri covid-19, të tilla si vendet nordike dhe Zelanda e Re, kanë besim të gjerë te institucionet dhe të huajt. Shumica e banorëve të tyre besojnë se një fqinj do të kthente një portofol nëse do ta gjente.
Njerëzit që nuk kanë nevojë për njerëz
Nëse është e drejtë, kjo shprehje mund të ndihmojë në shpjegimin e një ndryshimi të gjerë rajonal: lumturia në rënie e Amerikës Latine dhe lumturia në rritje e Azisë Lindore. Argjentina, Brazili, Kolumbia dhe Meksika të gjithë u bënë më pak të lumtur në vitin 2020; Kina, Japonia dhe Tajvani u bënë më të lumtur.
Një sondazh global në 2019 zbuloi se vetëm 52% e njerëzve në Amerikën Latine dhe Karaibet mendonin se një fqinj do të kthente një portofol; vetëm 41% mendonin se një polic do të mendonte ta bënte dicka të tillë.
Mungesa e përhapur e besimit e bëri më të vështirë për vendet e Amerikës Latine për të trajtuar covid-19 në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Njerëzit mund dhe mbajnë distancën e tyre nga njëri-tjetri, por kjo është emocionalisht e vështirë në vendet ku njerëzit normalisht janë kaq të shoqërueshëm. Meksikanët janë privuar nga drekat e tyre të premteve dhe mbledhjet familjare të së Dielës (megjithëse disa vazhdojnë gjithsesi).
Një enigmë ëhstë fakti se Amerika ka pësuar më shumë se 500,000 humbje për shkak të Covid-19. Megjithatë, sondazhi i Gallup zbulon një rritje të lehtë të nivelit të lumturisë së Amerikanëve në vitin 2020. Një sondazh nga Universiteti i Kalifornisë Jugore tregon se stresi mendor dhe ankthi u rritën në Amerikë marsin dhe prillin e kaluar, por më pas u qetësuan. Dy valë të mëpasshme të infeksionit dhe vdekjes duket se nuk i shqetësojnë më tej.
Shumë shtete amerikane kanë pasur mbyllje, të paktën për të rriturit, për nxënësit e shkollës, kufizimet mund të duken të panevojshme.
Abi Adams-Prassl i Universitetit të Oksfordit dhe studiues të tjerë zbuluan se vala e parë e izolimeve, pranverën e kaluar, ndikoj në gjendjen shpirtërore të femrave.
Burimi: The Economist. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje