Ne rrjet

Papa Françesku: Seksi është një nga gjërat e bukura që ka dhënë Zoti

Papa ka një dialog gjithëpërfshirës me një grup të rinjsh në dokumentarin 83-minutësh “Amen”, në platformën Disney+ nga sot. Dokumentari është prodhuar nga Jordi Évole dhe Màrius Sanchez.

Papa Françesku flet edhe për seksin, duke e quajtur atë një nga gjërat e bukura të dhëna nga Zoti.

Duke folur me një vajzë që shet përmbajtje pornografike në internet, sipas asaj që raporton L’Osservatore Romano, Papa thotë: “Ata që janë të varur nga pornografia janë sikur të ishin të varur nga një drogë që i mban në një nivel dhe nuk i lejon të rriten”.

Më pas biseda kalon te tema e masturbimit dhe Papa pohon: “Seksi është një nga gjërat e bukura që Zoti i ka dhënë njeriut. Shprehja seksuale është një pasuri… Seksi ka dinamikën e vet, ka arsyen e vet të ekzistencës. Shprehja e dashurisë është ndoshta pika qendrore e aktivitetit seksual’ Pastaj çdo gjë që “të tërheq zvarrë në një drejtim tjetër dhe ta largon prej teje, pakëson aktivitetin tënd seksual”.

Peshkopi i Romës pranon se të krishterët nuk kanë pasur gjithmonë një edukim fetar të pjekur mbi seksin.

Jorge Mario Bergoglio ndalet edhe në marrëdhëniet mes kishës dhe botës LGBT. Një vajzë spanjolle prezantohet me emrin Celia dhe shpjegon se është jo-binare dhe e krishterë: “A e dini se çfarë është një person jobinar?” pyet ajo Françeskun. Ai i përgjigjet po, por ajo gjithsesi i shpjegon se një person jobinar është ai që “nuk është as burrë as grua, ose, të paktën, aspak ose gjatë gjithë kohës”. Pastaj ajo dëshiron të dijë nëse ka vend për diversitet seksual dhe gjinor në Kishë, dhe Papa përgjigjet: «Çdo njeri është fëmijë i Zotit, çdo njeri. Zoti nuk refuzon askënd, Zoti është babai. Dhe nuk kam të drejtë të dëboj askënd nga Kisha. Jo vetëm kaq, detyra ime është të mirëpres gjithmonë. Kisha nuk mund t’ia mbyllë derën askujt. Askujt”.

Menjëherë më pas, Papa kritikon ata që, me referencë Biblën, justifikojnë përjashtimin nga komuniteti kishtar të të ashtuquajturës lëvizje LGBT: “Këta njerëz janë të infiltruar që përfitojnë nga Kisha për pasionet e tyre personale. Është një nga korruptimet e Kishës”.

Ai gjithashtu prek temën e parave. Djemve që e pyesin se sa fiton, Papa u përgjigjet: “Jo, nuk më paguajnë! Dhe kur më duhen para për të blerë këpucë apo diçka tjetër, shkoj dhe pyes. Nuk kam rrogë, por kjo nuk më shqetëson, sepse e di që më ushqejnë falas”. Françesku tregon se kërkon para para nga Selia e Shenjtë kur duhet të ndihmojë dikë…

Një tjetër temë e trajtuar është ajo e pedofilisë në kishë: “Këto raste të abuzimit me të miturit nuk parashkruhen. Dhe nëse parashkruhen me kalimin e viteve, unë automatikisht e heq atë parashkrim. Nuk dua që kjo të parashkruhet kurrë”, tha Papa Françesku.

Dhe për reformën e nevojshme të Kishës, Bergoglio ka ide të qarta: “Ajo duhet të fillojë nga brenda dhe Kisha duhet të reformohet gjithmonë, gjithmonë, sepse ndërsa kulturat përparojnë, nevojat ndryshojnë”. lastampa / Pershtati ne shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë