Politike

Paradoksi i qarkut fitues si për PS ashtu edhe për PD. Njëri shpërblehet kryetar Kuvendi, tjetri jep dorëheqjen

Lindita Nikolla nuk e fshehu ngazëllimin ndaj vendimit të fundit të kryeministrit Edi Rama për ta çuar atë në krye të Kuvendit.

Rasti i Nikollës është tipiku i politikanit që largohet me zhurmë nga detyra që mbante më herët dhe kthehet sërish “në majë” me një tjetër rezultat.

Lindita Nikolla u rikthye në drejtimin e fushatës së PS-së për zgjedhjet e 25 prillit në një qark të vështirë si ai i Lezhës.

Në këtë qark, socialistët siguruan 3 mandate, ndërsa Partia Demokratike 4.

Rezultati u vlerësua pozitiv për PS-në në një kohë që PD pretendonte deri në 5 mandate, e LSI po ashtu një mandat.

Qarku i Lezhës është i vetmi që konsiderohet një qark në rritje si për PD-në ashtu edhe për PS-në.

PD-ja mori rezultatin më të mirë të saj në vota (33.9898) më mirë sesa votat në zgjedhjet e 2009, 2013 dhe 2017, duke u përfaqësuar në Kuvend me 4 deputetë.

Paralelisht u rrit edhe PS-ja krahasuar me tre zgjedhjet e fundit parlamentare, por jo aq sa për të përmbysur rezultatin në mandate për shkak edhe të faktorit LSI.

Në zgjedhjet e fundit PS mori rezultatin më të mirë në vota (30406).

Një rezultat që ndryshe nga disa emra të tjerë në PS si rasti “Balla” u përkthye siç duhej nga Rama.

Ai e emëroi Lindita Nikollën në krye të Kuvendit me merite edhe pas një fushatë të vështire si drejtuese e grupit të punës në qarkun Lezhë.

Nuk u përkthye njësoj në kampin tjetër, ku paradoksalisht drejtuesi i qarkut për PD në Lezhë që mori më shumë vota se çdo qark tjetër dha dorëheqjen.

Dorëheqja e Mark Makut lidhej me një problematikë të thellë në PD duke e ndarë në tri etapa që lidheshin nga vendimi për të mos protestuar për “manipulimin e zgjedhjeve” fushata për zgjedhjen e kryetarit të PD-së “pa vizion” e deri tek zgjedhja e strukturave të reja të partisë.

Një standard krejt i ndryshëm që u ndoq për një qark që rezultoi fitues për të dyja partitë.

Njëri drejtues shkoi kryetar Kuvendi tjetri kundërshtar “fitues” dha dorëheqjen.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë