Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi filloi sot(1 gusht) turneun e saj në Azi, një turne që po mbahet diskret pas përshkallëzimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Kinës në lidhje me çështjen e Tajvanit.
Më herët, kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong i bëri thirrje Pelosit që të punojë për marrëdhënie “të qëndrueshme” me Pekinin gjatë takimit të tyre.
“Kryeministri Lee theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për paqen dhe sigurinë rajonale,” njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Singaporit.
Nuk ka ende asnjë informacion nëse Pelosi do të vizitojë Tajvanin.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Singapor, nga ana e saj, konfirmoi se Pelosi është në listën e të ftuarve për një pritje më vonë sot.
Turneu i saj aziatik përfshin ndalesa në Malajzi, Korenë e Jugut dhe Japoni, por ajo që ka ngjallur interes është një vizitë e mundshme në Tajvan.
Raportet për vizitën e saj të planifikuar në ishull kanë zemëruar Pekinin dhe kanë vënë në siklet edhe Shtëpinë e Bardhë, ndërsa presidenti Joe Biden përpiqet të de-përshkallëzojë marrëdhëniet me Kinën.
Pekini e konsideron Tajvanin e vetëqeverisur territorin e tij, për të cilin thotë se një ditë do ta pushtojë me forcë nëse është e nevojshme, ndërsa ka lëshuar paralajmërime gjithnjë e më të forta se do ta konsideronte një vizitë të Pelosit si një sfidë serioze.
Më herët, gjatë një konference për shtyp nga Ministria e Jashtme kineze, zëdhënësi Zhao Liqian paralajmëroi se Kina nuk do të “qendronte duarkryq ” nëse Pelosi do të vizitonte Tajvanin.
Ndërkohë zyra e zyrtares së lartë amerikane konfirmoi turneun e saj në Azi në një deklaratë dje.
“Udhëtimi do të fokusohet në sigurinë e ndërsjellë, bashkëpunimin ekonomik dhe qeverisjen demokratike në rajonin Indo-Paqësor “, thuhet në deklaratën që i referohet rajonit Aziatik-Paqësor.
“Delegacioni ynë do të mbajë takime të nivelit të lartë për të diskutuar se si mund të avancojmë më tej interesat dhe vlerat tona të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Tajvani nuk përmendet në njoftim.
Zakonisht vizitat e politikanëve dhe zyrtarëve amerikanë në Tajvan mbahen të fshehta derisa delegacionet të zbarkojnë për shkak të marrëdhënieve me Pekinin.
Në këtë tur Pelosi shoqërohet nga Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme Gregory Meeks si dhe anëtarë të Komisionit të Përhershëm të Zgjedhur për Inteligjencën dhe Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.
23 milionë qytetarët e Tajvanit kanë jetuar për vite me mundësinë e një pushtimi kinez, por ky kërcënim është rritur nën lidershipin e presidentit Xi Jinping.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje