Ne rrjet

Paralajmërimi: Putin duhet frenuar në Ukrainë, më pas do të trazojë edhe Ballkanin Perëndimor

Nëse Vladimir Putin nuk frenohet në Ukrainë, Rusia do të ndezë konflikte e luftë edhe në vendet e tjera fqinje dhe flakët e këtyre konflikteve mund të mbërrijnë deri në Ballkanin Perëndimor.

Ky është paralajmërimi i dhënë nga ministrja e Jashtme britanike, Luz Truss. Deklarata e kryediplomates së Britanisë së Madhe u lëshua në një moment ku Vladimir Putin ka urdhëruar stërvitjen më masive ushtarake të trupave ruse, që nga koha e Bashkimit Sovjetik.

Avionë luftarakë me mbushje bërthamore, raketa ballistike, nëndetëse, anije dhe batalione tankesh janë përfshirë që të gjitha në këtë demonstrim force të shefit të Kremlinit, që nga Mesdheu në jug, deri në Balltik, duke përfshirë të gjithë vijën kufitare të Moskës me vendet e Europës Lindore.

“Shtetet e balltikut janë në rrezik, po ashtu edhe Ballkani Perëndimor. Putin e ka deklaruar publikisht se dëshiron që të krijojë Rusinë e Madhe, që dëshiron të kthehet në gjendjen e mëparshme, kur Rusia kontrollonte hapësira të mëdha në Europën Lindore. Prandaj, ka shumë rëndësi që ne dhe aleatët tanë t’i kundërvihemi, sepse javën tjetër mund të jetë Ukraina, por kus e ka radhën pas kësaj?”, deklaroi për “The Mail on Sunday” ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss.

Truss thotë se nëse Putinit nuk i thuhet boll në Ukrainë, ai do të fitojë kurajon dhe besimin për të aneksuar të tjera ish-republika sovjetike. “Duhet ta frenojmë Vladimir Putin, sepse ai nuk do të ndalojë me Ukrainën”, tha Truss.

“Ai i ka idetë e qarta dhe po aq qartësisht e ka deklaruar se ambiciet e tij nuk janë thjesht marrja nën kontroll e Ukrainës, por dëshiron që ta kthejë orën para viteve ‘90”, vijoi ajo.

Kryediplomatja britanike iu referua Bashkimit Sovjetik, që shtrihej në një territor shumë më të gjerë dhe përfshinte republika të tjera, që nga Moldavia fqinjë e Ukrainës, deri te Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe vendet balltike si Letonia, Lituania e Estonia, që sot janë vende anëtare të Bashkimit Europian, ndërsa zona e influencës shtrihej deri në rajonin tonë, përfshirë këtu Shqipërinë, Hungarinë dhe të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë