Në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Evropian më 1 mars pritet të miratohet një rezolutë për agresionin e Rusisë në Ukrainë.
Përveç dënimit të sulmit rus dhe shprehjes së mbështetjes për rezistencën ukrainse, Parlamenti Evropian pritet të shprehë edhe shqetësimin për tentimet e Rusisë për të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Shohim me shqetësim të thellë përpjekjet këmbëngulëse të Federatës Ruse për destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndërhyrjen në proceset e tyre demokratike”, thuhet në tekstin e rezolutës.
Aty dënohen vendet që “kanë shprehur mbështetje për Federatën Ruse për agresionin në Ukrainë dhe mirëpritet mbështetjea e shprehur nga ato vende të Ballkanit Perëndimor të cilat janë aleate euro-atlantike”.
“Fuqishëm shprehim keqardhje për mospërshtatjen e Serbisë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, gjë që dëmton procesin e anëtarësimit drejt BE-së dhe përsëritet pritja që kandidatët për anëtarësim në BE të përshtaten jo vetëm me ligjet e BE-së, por edhe me politikën e jashtme dhe të sigurisë së bllokut”, thuhet në rezolutën që pritet të votohet në Parlamentin Evropian.
Është paralajmëruar se deputetëve do t’iu drejtohet edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky përmes video-lidhjes.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje