Bota

Partia e Merkel pëson rënien më të thellë në historinë e Gjermanisë

Partia e kancelares Angela Merkel, ka rënë në nivelin më të ulët të mbështetjes së opinionit publik në historinë e Gjermanisë së pasluftës,

Kristian-Demokratët (CDU/CSU) kanë sot më pak se 20% mbështetje në mesin e votuesve sipas një sondazhi të Forsas. Social Demokratët (SPD), të udhëhequr nga zëvendëskancelari dhe ministri i financave, Olaf Scholz, po kryesojnë sondazhet me rreth 25%.

Në të njëjtën kohë, të Gjelbrit kanë e mbështetjen e 17% të qytetarëve dhe FDP Liberale gëzon një mbështetje prej13%. Partia e ekstremit të djathtë AfD ndërkohë ka mbështetjen e 11% të votuesve.

Kjo do të thotë se asnjë aleancë dypartiake nuk do të kishte shumicën për të formuar një qeveri pas zgjedhjeve të 26 shtatorit.

Kjo do të thotë se nëse do të ruajë pushtetin, partia e kancelares Merkel duhet të arrijë marrëveshje një koalicion trepalësh, i cili përveç SPD-së, ka të ngjarë të përfshijë edhe të Gjelbrit.

Rënia historike në sondazhe shënon një goditje tjetër për kandidatin konservator, Armin Laschet, i cili përballur me një sërë sfidash.

Rezultatet e sondazheve kanë bërë që kancelarja Angela Merkel të mbrojë publikisht Laschet, duke e quajtur garantues të rëndësishëm të stabilitetit gjatë seancës së fundit të debatit të parlamentit gjerman dhe duke sulmuar Scholz.

“Ajo që është në rrezik janë vendimet ekonomike dhe e ardhmja e vendit tonë si dhe numri i vendeve të punës,” tha Merkel, duke shtuar se Laschet ishte kandidati i vetëm i aftë për të formuar “një qeveri të moderuar që do të udhëheqë vendin në të ardhmen ”.

Merkel gjithashtu kritikoi Scholz për përdorimin e termit “kavie” për të përshkruar njerëzit e vaksinuar kundër COVID-19.

Merkel e quajti luftën kundër ndryshimit të klimës si çështjen më urgjente të kohës sonë. Ajo tha se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm gjatë kësaj legjislature. Ndër të tjera, ajo iu referua Ligjit të Mbrojtjes së Klimës me buxhete vjetore dhe objektiva sektoriale. Në lidhje me pandeminë Korona, ajo ripërtëriti apelin e saj për popullatën që të vaksinohet. Në fund të deklaratës së saj, Merkeli bëri thirrje për zgjedhjen e kandidatit unionist për kancelar, Armin Laschet.

Kancelarja Angela Merkel i përshkroi zgjedhjet e ardhshme parlamentare si një vendim mbi drejtimin që do të marrë Gjermania dhe i dha mbështetje të fortë kandidatit të CDU/CSU për kancelar Laschet. Në të njëjtën kohë, në atë që pritet të jetë seanca e fundit e Bundestagut para zgjedhjeve më 26 shtator, ajo paralajmëroi kundër një aleance të SPD dhe të Gjelbërve me Partinë E Majta.

“Nuk është e parëndësishme se kush e qeveris këtë vend,” tha ajo. Këto janë zgjedhje të veçanta “sepse në kohët më të vështira është një vendim për dretimin që do të marrë vendi ynë”, theksoi Merkeli. Qytetarët kishin zgjedhjen midis dy opsioneve: një qeverie të SPD dhe Të Gjelbërve “që pranon mbështetjen e Partisë E Majta, të paktën nuk e përjashton atë” ose një qeveri të udhëhequr nga CDU dhe CSU me Laschetin në krye.

“Rruga më e mirë për vendin tonë është një qeveri federale e udhëhequr nga CDU/CSU me Armin Laschetin si kancelar,” tha Merkeli. Një qeveri e tillë, tha ajo, do të siguronte stabilitet, besueshmëri, moderim dhe rrugë të mesme. “Kjo është pikërisht ajo që i duhet Gjermanisë.”

Toni i Kancelares ishte i pazakontë, sepse në vitet e mëparshme, gjatë paraqitjeve në Bundestag Merkeli kishte theksuar gjithmonë gjuhën e përbashkët me partnerin e saj të koalicionit, SPD. Merkeli shprehu kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj zëvendëskancelarit dhe kandidatit të SPD për kancelarin Olaf Scholz. “Sigurisht, askush prej nesh nuk ishte dhe nuk është kavie laboratori në asnjë formë,” tha ajo, duke iu referuar deklaratave përkatëse të Scholzit gjatë fushatës zgjedhore. Çdo person i vaksinuar kishte marrë një vaksinë të testuar mjaftueshëm. Politikanët duhet t’i bindin njerëzit të vaksinohen”dhe të mos debatojnë me imazhe të shtrembëruara të kavieve të laboratorit”.

Javën e kaluar, kandidati i SPD për kancelar, Olaf Scholz kishte thënë në një intervistë me një radio lokale në landin Rini Verior-Vestfalia: “50 milionë vetë janë vaksinuar tani dy herë. Ne të gjithë kemi qenë kavie laborotari për ata që kanë pritur deri tani. Prandaj unë, si njëri nga ata 50 milionë, them se shkoi mirë. Bëhuni edhe ju pjesë e vaksinimeve.”

Scholzi i mbrojti fjalët që kishte përdorur pas fjalimit të kancelares. Ai tha se populli duhej të bindet për vaksinimin – në një mënyrë të qetë, të shtensionuar e edhe me shaka, për të cilat qeshet në shumë aktivitete. “Nëse ca nuk duan të qeshin dhe të mërziten për këtë, mund të ketë të bëjë me faktin se ata kanë pak për të qeshur kur shikojnë shifrat e sondazheve të tyre,” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë