Politike

‘Partia e referendumit na pret’, a po shkon LSI-ja drejt ndryshimit të emrit?

Qysh prej mëngjesit të së hënës, vetëm pak orë pas përfundimit të gjithë ceremonive si ish-President, Ilir Meta u përpoq të përcillte një mesazh tek njerëzit. Se ai nuk ka qëllim në vetvete drejtimin e LSI-së porse “rikthimin e sovranitetit” përmes referendumit.

Meta nuk sqaroi konkretisht për çfarë, por përmendi disa herë se në vend do të jetë një parti referendare.   

“Drejtimin e LSI e lashë me vullnet të lirë para 5 viteve për arsye të rrethanave, që u krijuan në vend. Nuk u riktheva sot për të rimarrë drejtimin e kësaj partie, por për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit, pjesë e të cilit ka qenë edhe LSI në ato momente, si dhe për t’u bashkuar të gjithë së bashku në triumfin e mesazhit të 2 marsit: Sovraniteti në Shqipëri i përket popullit.

Kjo do bëhet e mundur në mënyrë të padiskutueshme.

Partia e referendumit na pret!

Kjo zgjidh çdo problem, nga oligarkët te kapja e shtetit. Referendumi do të jetë “Shpata e Demokleut” mbi të gjithë ata që abuzojnë me besimin e popullit të Shqipërisë dhe mbi Esad Pashët e rinj, që kanë tradhëtuar interesin kombëtar dhe i kanë ngulur thika pas shpine Kosovës”, shkruan Meta në Facebook.

Në të njëjtën ditë, LSI-ja ka ka lajmëruar mbledhjen e Konventës që në plan të parë do të ketë vendime të rëndësishme me karakter politik.

A do të jetë pjesë e axhendës edhe ndryshimi i emrit të LSI-së, sa kohe që Meta e përmendi shpesh se do të drejtoje partinë e Referendumit? Kjo mbetet për tu parë.

Vetë bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi ka deklaruar disa here se drejtimi i LSI-së, ishte një kostum që Metës tanimë i rrinte ngushte, duke nënkuptuar se synimi i tij politik do të jetë shumë më i gjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë