Futboll

Partizani bombardon Luftëtarin me 8 gola, gjysmat i shënon Çinari

Partizani e ka shfryrë gjithë stresin e akumuluar gjatë këtyre javëve në ndeshjen ndaj Luftëtarit të rënë nga kategoria. Të kuqtë janë çliruar dhe kanë regjistruar fitoren më të thellë të sezonit, 8-1. Janë zhbllokuar të gjithë sulmuesit e skuadrës së Sormanit, por ai që ia ka ndjerë më shumë lezetin një ndeshjeje të tillë, është Erald Çinari, autor i plot 4 golave. Kanë shënuar edhe Broja, Cara dy herë dhe Braun, kurse për Luftëtarin shënoi golin e vetëm Griseld Lika.

Rezultati flet qartë, ndeshja nuk pati shumë histori, sepse menjëherë të kuqtë vunë diktatin e tyre në fushë. Çinari realizoi 3 herë brenda pjesës së parë dhe një gol tjetër e realizoi Broja. Gjirokastritët e kishin të pamundur të përballonin furinë e sulmeve të Partizanit, aq më keq kur mbetën me 10 vetë, pasi Hyseni u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 40-të. Në të dytën ekipi i kuq shënoi 4 gola të tjerë, 2 nga të cilët me sulmuesin e ri kavajas, Tedi Cara.

Skuadra e kuqe, e ngjitur tashmë në kuotën e 41 pikëve, e kishte të domosdoshme një fitore që ishte e pritshme, por jo në këto shifra. Ndeshjen e radhës Partizani e ka me Flamurtarin, një tjetër skuadër të rënë nga Superiorja dhe ndoshta edhe aty mund të përmirësojë golaverazhin. Me këtë fitore, Partizani kalon Vllazninë, Bylisin dhe Teutën në renditje, por këta kundërshtarë do të zbresin nesër në fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë