Futboll

Partizani dhe Tirana përplasen për Dajën, në mes dhe Shkëndija e Tetovës

Pa u mbyllur ende ky kampionat, kanë nisur lëvizjet për sezonin e ri. Klubet e mëdha të Superiores janë në kërkim të trajnerit apo lojtarëve që u duhen për të forcuar organikën. Tratativat nisin kaq shpejt për faktin e thjeshtë se futbolli ynë ofron pak elementë cilësorë dhe të gjithë nxitojnë t’i rrëmbejnë sa më parë.

Partizani dhe Tirana i kanë hedhur sytë nga Korça në këtë moment. Objektivi kryesor është trajneri Ilir Daja, i cili duket se do të largohet nga Skënderbeu, nëse Gjykata Federale në Zvicër nuk merr një vendim në favor të klubit korçar. Tirana, edhe pse flitet për mbështetje të Emanuel Egbo, e sheh si trajnerin ideal për të vazhduar rrugën e suksesit pasi të sigurojë titullin kampion në Superiore. Daja ka punuar edhe më parë te Tirana dhe bashkëpunimi do të ishte më i lehtë, por bardheblutë nuk do ta kenë aspak të lehtë, pasi Ilir Daja është i pari edhe në listën e Partizanit, por edhe të Shkëndijës së Tetovës.

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, gjatë një ndeshjeje. Gazeta Si, 1 korrik 2020

Drejtuesit e klubit të kuq, sipas “Panorama Sport”, kanë nisur ofensivën për trajnerin e suksesshëm kryeqytetas, por edhe për mbrojtësin Erjon Hoxhallari të Tiranës, pasi ai mund të jetë një zëvendësues i denjë për Lorenc Trashin. Për momentin, gjithçka është në kuadrin e dëshirave dhe kontakteve të para, e sigurt është se Partizani e ka shumë seriozisht si për trajnerin Daja, ashtu edhe për mbrojtësin Hoxhallari.

Dy klubeve kryeqytetase mund t’u prishë punë Shkëndija e Tetovës për trajnerin Daja, i cili e refuzoi një vit më parë ekipin nga Maqedonia e Veriut, sepse i kishte dhënë fjalën Skënderbeut. Burinë të Gazeta Si bëjnë me dije se Shkëndija e Tetovës kërkon me çdo kusht të ringrihet pas një sezoni të dobët dhe i përzgjedhuri për stolin është Ilir Daja. Trajneri aktual i korçarëve, nëse i thotë “Po” Shkëndijës, do të shkojë në Tetovë bashkë me Artim Pollozhanin, lojtar i Skënderbeut sezonin e fundit dhe më parë 7 sezone pjesë e tetovarëve. Pollozhani do të ishte ndihmësi i Dajës, ndërkohë Shkëndija ka vënë në shënjestër edhe mesfushorin Bruno Dita.

Mbetet për t’u parë si do të rrjedhin ngjarjet gjatë muajit korrik, në fund të të cilit mbyllet kampionati. Oferta financiare, ambiciet e klubit dhe faktorë të tjerë do të ndikojnë në vendimin përfundimtar të Dajës. Ai duhet të zgjedhë mes Tetovës dhe Tiranës, pasi t’i japë lamtumirën Skënderbeut. Dhe nëse zgjedh kryeqytetin shqiptar, do të vishet bardheblu, apo i kuq?

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë