Fatjon Rupi – Me 5 pikë diferencë nga Kukësi i vendit të dytë, Partizani duket i destinuar të fitojë titullin e munguar prej shumë vitesh këtë sezon. Për të qenë më të sigurt dhe për të larguar fantazmat e sezoneve të fundit, drejtuesit e klubit të kuq ia kanë bërë shërbimin si duhet merkatos së dimrit, duke plotësuar grupin në ato pika kanë janë vënë re mangësi.
Partizani ka bërë më shumë lëvizje në hyrje nga pretendentët e tjerë. Të kuqtë kanë forcuar mbrojtjen dhe mesfushën, ndërkohë që “blerja” më e rëndësishme mund të konsiderohet rinovimi i trajnerit Skënder Gega. Merkatoja e dimrit është mbyllur me afrimin e mesfushorit nga Gambia, Tijan Jaiteh. Pak orë para tij kishte ardhur Kevin Mombilo, i cili ka luajtur në Finlandë, ashtu si mbrojtësi i qendrës, Lum Rexhepi, që në Korçë tregoi një nivel të kënaqshëm për kampionatin shqiptar. Afrime të tjera në radhët e Partizanit janë Dilaver Duka, Alesio Hyseni dhe Hektor Idrizaj. Ka rinovuar ndërkohë mesfushori Kristi Kote dhe Mensah ka qëndruar, pavarësisht se u përfol se do të largohej. Partizani e ka kontigjentin të plotë për të shkuar te titulli.

Edhe Kukësi nuk qëndron shumë prapa Partizanit. Presidenti Safet Gjici e nisi “fushatën” e afrimeve pa u mbyllur viti 2018, kur bleu nga Luftëtari Eduard Rrocën dhe Vasil Shkurtajn, ndërkohë që spastroi grupin nga të “tepërtit”. Olsi Teqja, Moris Gomis dhe Valdet Rama janë tre përforcimet e fundit për trajnerin Armando Cungu. I fundit është një ish-lojtar i Kombëtares, që me përvojën e tij pritet ta ndihmojë shumë Kukësin, nëse ka gjendjen e duhur.
Teuta nuk ka dashur të eksperimentojë dhe ka preferuar të marrë “produkt të gatshëm”, mbrojtësit e krahëve Renato Arapi dhe Erlis Frashëri, si dhe sulmuesin Tomisllav Bushiç. Skënderbeu ka një tjetër stil në merkato, aq më tepër tani që nuk luan në Europë. Korçarët marrin lojtarë të rinj dhe të talentuar, të cilët i rrisin dhe më pas i shesin në tregun e huaj. Marko Pervan, Kuasi Sibo, Idriz Toskiç, Shqiprim Taipi dhe Elmir Asani janë lojtarët e afruar, ndërkohë që disa të huaj janë larguar.

Tirana dhe Flamurtari kanë stonuar këtë radhë, duke pasur më shumë “firo” se afrime. Përforcimi i vetëm i vlonjatëve është sulmuesi Xhevahir Sukaj, kurse i Tiranës Jurgen Goxha. Edhe ekipet e tjera kanë bërë disa lëvizje në merkaton e dimrit, duke u munduar të plotësojnë boshllëqet, edhe pse e kanë shumë të vështirë për të gjetur mall të mire në këtë periudhë. Luftëtari ka ndërruar edhe trajner, ku vendin e Gentian Mezanit e ka zënë Julian Ahmataj.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje