Futboll

Partizani merr sulmuesin e Veronës dhe rinovon me liderin e mbrojtjes

Dy lëvizje të rëndësishme nga klubi i Partizanit pak ditë para ndeshjes së parë në Ligën e Kampionëve ndaj Karabagut. Nga Verona është marrë në formë huazimi për një vit sulmuesi Joseph Ekuban, ndërkohë që ka rinovuar kontratën mbrojtësi Egzon Belica, një nga titullarët më të rëndësishëm dhe lider i prapavijës. Ishin dy lëvizje të paralajmëruara nga drejtuesit e Partizanit, si afrimi i Ekubanit, ashtu edhe rinovimi i Belicës.

Partizani e ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit Joseph Ekuban në faqen e vet, duke bërë publike edhe detajet e kontratës. Futbollisti 19-vjeçar, vëllai i ish-sulmuesit të të kuqve, Kaleb Ekuban, vjen nga Verona. Klubi italian ka në pronësi kartonin e tij dhe te Partizani vjen në formë huazimi për një vit, me të drejtë blerjeje nga klubi kryeqytetas. Ekuban ka bërë tashmë prezantimin me fanellën e kuqe dhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje. Ai është një alternativë më shumë për trajnerin Franko Lerda para ndeshjes me Karabagun, që luhet të mërkurën e ardhshme në stadiumin “Selman Stërmasi”. Luan në qendër të sulmit, por adoptohet edhe në të dy krahët e këtij reparti. Në kampin e kuq shpresojnë shumë që sulmuesi i ri të ecë në gjurmët e të vëllait, Kalebit, i cili bëri një paraqitje shumë të mirë me Partizanin pak sezone më parë. Edhe ai erdhi në Shqipëri i huazuar nga Kievo.

Egzon Belica, mbrojtësi i Partizanit

Egzon Belica ka rinovuar kontratën me Partizanin deri në vitin 2021. Ishte një formalitet, në fakt, sepse të dyja palët e kishin arritur akordin për vazhdimin e bashkëpunimit. Futbollisti 28-vjeçar është një kolonë e fortë e të kuqve në mbrojtje dhe qëndrimi i tij, sidomos pas largimit të Atandës, ishte i domosdoshëm. Sezonin e fundit ishte një nga më të mirët, duke dhënë një kontribut të madh në fitimin e titullit kampion. Vetë Belica e kishte shprehur më parë dëshirën e qëndrimit te Partizani dhe tani gjithçka ka marrë formë zyrtare. Partizani ka afruar më parë në ekip mbrojtësin e majtë Esin Hakaj, si dhe mesfushorët Uilliam Kordeiro dhe Rron Broja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë