Futboll

Partizani “prek” titullin në Shkodër, Kukësi dorëzohet

Nuk ka fitues në “Loro Boriçi”, ku barazimi favorizon Partizanin kryesues. Kukësi, rivali i tij direkt, e ka humbur edhe “trenin e fundit” për titullin kampion. Edhe pas ndërrimit të trajnerit, skuadra veriore nuk mundi të triumfojë mbi Partizanin, që me këtë barazim 1-1 në Shkodër “prek” titullin e munguar. Partizani është ngjitur në kuotën e 54 pikëve, ndërsa Kukësi ndodhet në kuotën e 45 pikëve. Diferenca mbetet po 9 pikë, por kuksianët kanë humbur një shans të mirë për të rihapur garën.

Rexhinaldo realizoi një eurogol nga goditja e dënimit 10 minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë e ndeshjes. Por avantazhi i Kukësit zgjati pak minuta, sepse Jasir Asani fitoi një 11-metërsh pas pengimit të Cuculit në zonë dhe e ktheu vetë në gol. Më pas loja është përqendruar në mesfushë, pasi edhe lodhja ka bërë të vetën. Ndeshja pati edhe momente tensioni dhe acarime mes lojtarëve, duke bërë që arbitri Enea Jorgji të jepte 6 kartonë te verdhë, nga 3 për çdo skuadër.

Nga ndeshja Kukësi-Partizani, 1-1

Situata u vështirësua para ndeshjes për trajnerin e Partizanit, Skënder Gega, sepse përveç Telushit, Rexhepit dhe Hebajt, ai nuk kishte gati për shkak dëmtimi edhe Esat Malën. Dëmtimi i Hilës që në pjesën e parë e bëri edhe më të vështirë misionin e të kuqve, por në fund ata ia dolën të merrenin rezultat pozitiv, duke e mbajtur Kukësin larg dhe duke fituar më shumë qetësi për javët e mbetura të kampionatit. Partizani ka “prekur” titullin tashmë dhe thjesht duhet të tregojë kujdes për të mos e komplikuar situatën.

Në stadiumin “Loro Boriçi” ishin të pranishëm disa miq special për Kukësin, ish-trajneri i këtij ekipi Peter Pakult, si dhe ish-sulmuesi Pero Pejiç, por që nuk i kanë sjellë fat skuadrës veriore. Trajneri i saj i ri, Ramadan Ndreu, ka debutuar me barazim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë