Fatjon Rupi – Partizanit dhe Skënderbeut u ka mjaftuar një gol për të fituar përkatësisht ndaj Laçit dhe Flamurtarit. Janë dy skuadrat që po thellojnë distancën me ndjekësit në krye të tabelës së renditjes dhe titulli kampion duket një çështje që do të diskutohet mes tyre. Rivalët kanë shumë mangësi në raport me të kuqtë dhe korçarët. Pak javë me parë ishin Bruno Telushi dhe Gjergji Muzaka lojtarët e momentit për këto dy skuadra, ndërsa tani stafetën e kanë marrë të rinjtë Jurgen Bardhi dhe Dejvi Bregu, të cilët shënuan në pjesën e dytë golat e fitoreve.
Partizani hasi vështirësi për të thyer Laçin, që me Memellin në stol pëson humbjen e parë. Trajneri Gega nuk preferoi titullar as Mensah dhe as Hebajn, por hodhi në fushë Koten, duke ia lënë sulmin treshes tashmë të afirmuar Mala-Asani-Bardhi. Ky i fundit, i ndihmuar edhe nga fati, shënoi golin trepikësh në minutën e 62-të. Ai devijoi saktë me trup një top të krosuar nga e djathta. Laçi u mundua, por pa arritur të shënojë golin e barazimit. Në minutat e fundit kurbinasit luajtën me 10 vetë, pasi Berisha u ndëshkua me karton të kuq. Lojtari i Laçit shkaktoi një faull dhe më pas shtyu edhe gjyqtarin Kola.

Edhe më shumë vuajti Skënderbeu ndaj Flamurtarit. Një ndeshje që nisi me polemika, pasi vlonjatëve iu anulua një gol në minutat e para. Kapiteni Bushiç shënoi, por sipas anësorit Avdo, e kishte prekur topin me dorë. Korçarëte kanë dominuar ndeshjen, megjithatë golin e gjetën vetëm një minutë para se të mbyllej koha e rregullt. Bregu, që kishte provuar disa herë më parë, përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes së Flamurtarit për të shënuar golin e rëndësishëm, që e ka çuar Skënderbeun në kuotën e 29 pikëve, 2 më pak se Partizani kryesues, që ka 31. Skënderbeut nuk i falej një tjetër hap i gabuar, pas humbjes me Laçin.

Pak orë më parë Tirana humbi 2-1 ndaj Luftëtarit, kurse Kastrioti mposhti Kamzën me rezultatin 3-0. Java e 13-të e Superiores mbyllet me ndeshjen Kukësi-Teuta, që luhet të hënën, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Më pas ka një ndërprerje të kampionatit, për shkak të dy ndeshjeve të Kombëtares, me Skocinë në Ligën e Kombeve dhe miqësoren me Uellsin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje