U mendua se ishin pasojat e Botërorit, që ndikuan në formën fizike dhe paraqitjen e mesfushorit Sergej Milinkoviç-Saviç në këtë sezon, por ylli i Lacios nuk po e merr dot veten. Zërat e merkatos së verës dhe afrimi i merkatos së dimrit duket se po e dëmtojnë këtë lojtar. Historia e serbit me Lacion po komplikohet dhe tashmë kanë ardhur edhe reagimet e tifozëve ultras. Një pjesë e tyre, të zhgënjyer nga forma e tij, e kanë sulmuar në ndeshjen e fundit me një parullë raciste.
“Milinkovic zingaro” (Milinkoviç jevg) ishte parulla e shpalosur nga ultrasit e Lacios. Një parullë e papranueshme dhe injorante është konsideruar nga ambienti sportiv i Lacios dhe shtypi sportiv. Sikur të mos mjaftonin problemet fizike për mesfushorin serb, tani shtohen edhe problemet me tifozët, ndaj dhe për drejtuesit e Lacios, presidentin Lotito dhe drejtorin sportiv Tare mbetet vetëm një zgjidhje: ta shesin mesfushorin, që në verë ishte ndër më të kërkuarit në treg. Por kjo lëvizje do t’i sillte një dëm klubit, sepse një lojtar nuk mund të shitet në momentin më të keq të karrierës.

Milinkoviç-Saviç ka qenë në verë në shënjestrën e Milanit, ku dikush vazhdon të flasë për këtë lojtar. Por edhe Interi mendon për serbin, sepse Marota e donte me çdo kusht kur ishte te Juventusi. Problemi për Igli Taren dhe Lacion është një tjetër: Lotito ka pranuar se ka refuzuar një ofertë prej 150 milionë eurosh për Milinkoviç-Saviç. Klauzola e kontratës së tij aktualisht është 100 milionë euro, por vlera e tij në këtë moment është në rënie të vazhdueshme. Ka zëra që thonë se nuk mund të shitet për më shumë se 80 milionë euro. Klubet e mëdha do të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë krisje të lojtarit me tifozët dhe janari duket se do të jetë i nxehtë për Taren dhe Lotiton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje