Bota

Pas 10 vitesh gjyq, Berluskoni shpallet i pafajshëm për skandalin ‘Ruby’

Gazeta Si- Ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni u shpall i pafajshëm nga gjykata italiane sa i takon akuzave ndaj tij për korruptimin e dëshmitarëve në një rast prostitucioni me të mitur. Një akuzë që rëndonte prej një dekade ndaj Kavalieros.

28 të pandehurit e tjerë, shumë prej tyre gra të reja të akuzuara për marrje ryshfeti, u liruan gjithashtu, përfshirë balerinën marokene Karima El Mahroug, e njohur me emrin e saj të skenës, ‘Ruby the Heartstealer’.

Ish-kryeministri Berluskoni akuzohej se kishte paguar 24 persona për të dhënë dëshmi të rreme në një gjyq të mëparshëm, ku ai u akuzua se kishte paguar për të kryer marrëdhënie seksuale me një kërcimtare 17-vjeçare marokene në një klub nate.

Prokurorët kishin kërkuar një dënim me gjashtë vjet burg për Berluskonin, partia e të cilit, Forza Italia, është një komponent kyç i koalicionit konservator të kryeministres Xhiorxhia Meloni. Berlusconi, 86 vjeç, i ka mohuar akuzat dhe tha se ishte viktimë e një komploti prej vitesh nga magjistratët për ta nxjerrë atë nga politika.

Skandali mbi festat private kontribuoi në rënien e Berlusconit si kryeministër në vitin 2011, duke shënuar fundin e qeverisë së tij të katërt.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi i kryeministres Meloni, duke e cilësuar si një lajm të shkëlqyer.

“Lirimi i Silvio Berluskonit nga akuzat është një lajm i shkëlqyer që i jep fund një çështjeje të gjatë ligjore që pati gjithashtu pasoja të rëndësishme në jetën politike dhe institucionale italiane”, tha Meloni në një deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë