Seria A rifillon më 20 qershor, por katër skuadra do të zbresin në fushë më shpejt se të tjerat. Janë katër gjysmëfinaliste të Kupës së Italisë, që luajnë ndeshjet e kthimit dhe kurioziteti është i madh se në çfarë gjendje do të jenë këto skuadra pas ndërprerjes më shumë se 3-mujore të aktiviteteve. Juventus-Milan luhet nesër dhe përcakton skuadrën e parë finaliste, ku më i favorizuar është Juventusi, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë. Më 13 qershor luhet gjysmëfinalja tjetër e Kupës, Napoli-Inter.
Si Juventusi, ashtu edhe Milani, vijnë me ndryshime në formacion për shkak dëmtimesh dhe skualifikimesh. Bie në sy fakti se në fushë nuk do të ketë asnjë qendërsulmues tipik, por lojtarë të përshtatur në këtë rol. Trajneri i Juventusit, Mauricio Sarri, do të aktivizojë Bentankurin në regji, në vend të Pjaniç. De Ligt do të jetë në qendër të mbrojtjes, në vend të Kielinit, i cili nuk është ende në formën optimale. Kolumbiani Kuadrado pritet të luajë nesër në rolin e mbrojtësit të djathtë, ka më shumë shanse se Danilo, ndërsa në sulm mungon Higuanin dhe do të ketë vend për Dauglas Kostën, përkrah Ronaldos dhe Dibalës.

Stefano Pioli, trajneri i Milanit, nuk ka të gatshëm Teo Hernandezin, i ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e parë. Po ashtu, do të mugojnë dy sulmuesit Ibrahimoviç dhe Leao. Në këto kushte, Pakueta, Çalhanoglu dhe Bonaventura do të mbështesin kroatin Rebiç, i cili do të spostohet në qendër. Në mbrojtje, trajneri Pioli ka rikueruar danezin Kjaer, ndërsa Kalabria është favorit në raport me Laksalt. Burimi: Sportmediaset/ Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje