Kur Angela Merkel të largohet nga posti i kancelares së Gjermanisë, kryeministri i ri italian Mario Draghi dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të jenë “çifti” i ri i pushtetit në Europë, duke krijuar një aleancë midis ekonomisë së dytë dhe të tretë më të madhe të Eurozonës.
Deri më tani kjo ka qenë e pamundur. Gjatë krizës së vitit 2008 Franca hezitoi të shkëputej nga Gjermania dhe të rreshtohej me vendet e tjera mesdhetare, pasi do të zgjeronte përhapjen e rrezikut të bonove të thesarit francez dhe atyre gjermane.
Dy vjet më parë, marrëdhëniet midis Parisit dhe Romës ranë në pikën e tyre më të ulët që prej Luftës së Dytë Botërore, kur Luixhi Di Maio, atëherë zëvendëskryeministër i Italisë, shprehu mbështetjen e tij ndaj protestuesve francezë anti-qeveritarë, të njohur si Jelekverdhët. Presidenti francez pro-europian, ishte shndërruar në një objektiv të lehtë për populistët euro-skeptikë të Italisë, që po kërkonin të zgjeronin mbështetjen e tyre të brendshme.
Në Itali, kishte shumë zemërim për mungesën e perceptuar të solidaritetit nga Franca gjatë krizës së emigrantëve të viteve 2015-16, dhe pakënaqësi ndaj blerjes së disa kompanive të rëndësishme italiane nga rivalët francezë. Marrëdhëniet mes 2 vendeve u përmirësuan kur Roma mori një kthesë më pro-evropiane nën qeverinë e dytë të Xhuzepe Konte. Franca dhe Italia, ishin në mesin e 9 nënshkruesve të një letre në marsin e vitit të kaluar, që bënte thirrje për një “instrument të përbashkët të borxhit, të emetuar nga një institucion europian” për të ndihmuar vendet e goditura nga pandemia.
Ajo ishte bërthama e planit të fondit të rimëkëmbjes së BE-së, të hartuar nga Parisi dhe Berlini, dhe i miratuar nga të 27 vendet anëtare nën emrin “BE-ja e Brezit të Ardhshëm”. Hapi më i madh përpara në integrimin evropian që nga krijimi i euros, është gjithashtu arritja më e madhe evropiane e Emanuel Macron deri më tani.
“Macron ka treguar udhëheqje”, thotë Enriko Leta, ish-kryeministër i Italisë, aktualisht dekan i Shkollës së Parisit për Çështjet Ndërkombëtare. “Kjo nuk ndodhi me Sarkozi 10 vjet më parë. Ai zgjodhi të qëndronte nën “ombrellën” gjermane, dhe të shmangte çdo rrezik. Ishte një qasje e mirë për Francën, por çmimi që duhej paguar ishte se Europa nuk kishte ndonjë zgjidhje për krizën”, thekson ai.
Si përfituesja më e madh e fondit të rimëkëmbjes së BE-së, gjithçka varet nga aftësia e Italisë për ta shpenzuar me mençuri këtë ndihmë. Për Romën, ky është një shans i rrallë për të bërë investime produktive. “Draghi ndoshta e di më mirë se kushdo tjetër se çfarë duhet bërë për ta shfrytëzuar këtë mundësi që të vjen njëherë në jetë, për të adresuar dobësitë thelbësore që ka vendi”, thonë analistja italiane Silvia Merler.
Dështimi me këto fonde, do të krijonte dyshime serioze në lidhje me aftësinë e Italisë për të mbijetuar brenda monedhës së përbashkët. Ai do të diskreditonte idenë e bashkimit të sovranitetit brenda BE-së, në këmbim të një solidariteti më të madh. Konte nuk kishte mbështetjen e duhur politike për ta shpenzuar si duhet fondin e rimëkëmbjes.
Kjo është arsyeja kryesore pse qeveria e Draghi, është kaq e rëndësishme për ithtarët e një Evrope më të fortë, si Macron. Së dyti është shpresa se duke zbatuar politika monetare novatore si president i Bankës Qendrore Europiane, Draghi mund të ndihmojë në rregullimin e politikës fiskale të eurozonës, me më shumë rregulla mbi deficitin, duke pasur një qasje me miqësore ndaj borxhit me synim nxitjen e rritjes ekonomike, dhe nevojës për një buxhet të përhershëm për të ndihmuar tronditjet e mundshme.
Gjermania dhe vendet e tjera do të duhet të binden. Por nëse Draghi do të arrijë të bëjë si duhet disa nga detyrat e shtëpisë që u kërkohen vazhdimisht qeverive të tjera kombëtare, kjo vetëm sa do ta forcojë pozitën e tij brenda unionit.
“Draghi është më shumë pro integrimi të ngushtë evropian, duke kombinuar përgjegjësinë kombëtare me solidaritetin evropian”-thotë Marta Dasu, ish-zëvendës ministre e Jashtme e Italisë. ““Ata janë si të dyja anët e së njëjtës medalje”, thekson ajo. /Finacial Times/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje