Ka një vëmendje të shtuar të politikës shqiptare ndaj të rinjve pas protestave të fundit që shoqëruan vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta përcjell here pas here mesazhe ndërsa ka organizuar edhe takime online me te rinjtë, Rama e përqendroi vëmendjen kur prezantoi ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe se fundmi edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha po e bën këtë gjë.
Të hënën ai zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë finalistë të Debatit Kombëtar të organizuar nga EDYN, Rrjeti i të Rinjve Europianë për Demokraci.
“Fytyra e ndryshimit në Shqipëri ka qenë gjithmonë fytyra e rinisë. Dhe sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për ndryshim. Ndryshimi është një nevojë e brendshme e çdokujt, sot më shumë se kurrë, te djathtë dhe të majtë, demokratë dhe socialistë, e të gjithë të tjerët…”, u tha Basha, të rinjve.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që brezi i ri të trajnohet, dhe të ketë sensin e përgjegjësisë individuale por edhe të përbashkët për familjen dhe shoqërinë
“Në planin tonë, mundësitë e Shqipërisë janë që çdo vit 10 mijë më të mirët të përfitojnë një stazh 1 vjeçar me një pagesë prej 300 mijë lekë të vjetra në muaj, për të bërë urën nga bankat e shkollës tek tregu i punës. Prioritet absolut në programin e Arsimit të lartë, është kthimi i arsimit të lartë në një platformë të lançimit të rinisë në tregun e punës. Sigurisht, për këtë duhet të ketë treg pune. Prandaj, prioriteti kryesor është ekonomia, është hapja e vendeve të punës…
Në Europë çelësi i suksesit të rinisë është që pothuajse gjysmat e fondeve i harxhon për praktikë dhe kjo është pjesë e Reformës së Arsimit, nuk është thjesht anulimi i ligjit të arsimit të lartë apo financimi i tarifave bachelor dhe master. Edhe kjo është plotësisht e mundur. Për të gjitha familjet me të ardhurat nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj mund të financohet 100%, subvencionohet 100% tarifa, pra që mos paguajë tarifë as për bachelor as për master”, – iu tha Basha të rinjve, ndërsa i ftoi ata që të bëhen pjesë e ndryshimit dhe të qëndrojnë në vendin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje