Hapësira ajrore ku avionët luftarakë grekë mund të fluturojnë lirshëm, madje edhe me detyrën për ta mbrojtur atë zgjerohet. Shefat e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë nënshkruan marrëveshjen sipas të cilës, pas Tiranës nën “umbrellën” mbrojtëse të Athinës përfshihet edhe Shkupi.
Marrëveshja u nënshkrua në Selanik nga Kristos Kristodulu, shef i shtabit në ushtrinë greke dhe Vasko Gjurkinovski, shefi i shtabit në ushtrinë maqedonase. Marrëveshja paraprin anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO.
Në muajin maj, si pjesë e planeve përgatitore, dy avionë grekë luftarakë të modelit F-16 fluturuan në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut si pjesë e testimeve për komunikimin dhe sistemit të radarëve.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë greke doli me një deklaratë sipas të cilës, veç marrëveshjes në fjalë, në takimin mes Kristodulut dhe Gjurkinovskit u diskutua edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.
Përveç Maqedonisë së Veriut, që prej anëtarësimit në NATO, nën mbrojtjen e Greqisë është edhe hapësira ajrore e Shqipërisë. Si Tirana, ashtu edhe Shkupi, nuk përmbushin kriteret e NATO-s për ta realizuar vetë këtë detyrë.
Ndërkohë, zgjerimi i hapësirës ajrore thuajse në të gjithë zonën e Ballkanit, cilësohet si një lëvizje strategjike e Greqisë për t’iu kundërvënë kërcënimit të përhershëm të Turqisë në lindje të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje