Gazeta Si – Pak orë pas vizitës së Antony Blinken, ambasada amerikane në Tiranë ka publikuar foto të takimit një ditë më parë të Sekretarit të Shtetit me drejtues të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada amerikane shkruan se është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të veprojnë me guxim ndaj pandëshkueshmërisë.
“Sekretari i Shtetit Antony Blinken përsëriti angazhimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri gjatë një takimi me krerët e drejtësisë dje. Megjithëse reforma nuk është e shpejtë, e përsosur, apo e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të veprojnë me guxim ndaj pandëshkueshmërisë dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbetemi të palëkundura në mbështetjen tonë”, shkruan ambasada amerikane në Facebook.
Justice reform is crucial for Albania and its EU integration efforts. I met with justice reform leaders in Tirana to commend their progress in advancing the rule of law and combating corruption. pic.twitter.com/V0ece1FY3g
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) February 15, 2024
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi Tiranë gjatë të enjtes ku në axhendën e tij kishte të parashikuar edhe një takim të shkurtër me krerët e institucioneve të drejtësisë në vend; me kreun e SPAK Altin Dumanin, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, kreun e Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani.
Lidhur me këtë takim Sekretari Blinken ka përcjellë dhe një mesazh përmes platformës sociale “X”. “Reforma në drejtësi është thelbësore për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për integrim në BE.
U takova me drejtuesit e reformës në drejtësi në Tiranë për të përgëzuar progresin e tyre në avancimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e korrupsionit”, shprehet Sekretari Blinken.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka reaguar pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken. Zaçaj thotë se Blinken rinkonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në hapat për reformën në drejtësi, duke e cilësuar vijueshmërinë e saj si kyçe për zbatimin e shtetit të së drejtës.
‘Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, zonja Holta Zaçaj, ishte e pranishme në takimin që Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antoni Bliken zhvilloi me krerët më të lartë të institucioneve të drejtësisë në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit, z. Blinken, rinkonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në hapat për reformën në drejtësi duke e cilësuar vijueshmërinë e saj si kyçe për zbatimin e shtetit të së drejtës, demokracinë dhe zhvillimin e vendit.’- shkruan Zaçaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje