Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, në një konferencë për mediat ka sqaruar studentët në lidhje me kërkesat e tyre. Studentë të universiteteve publike kërkojnë heqjen e tarifës prej 670 lekë për kredit për çdo provim të mbartur.
Gjatë fjalës së saj, Nikolla tha se vëmendja e Ministrisë së Arsimit është te shqetësimet e studentëve. Ministrja Nikolla u shpreh se kanë një përfaqësi të studentëve për të biseduar, por ata nuk kanë pranuar të negociojnë.

“U bëra me dije dekanëve dhe rektorëve për një protestë të një grupimi studentësh. Me respektin maksimal për t’i dëgjuar dhe për të komunikuar me ta. Respektin maksimal për të gjithë politikanët që janë përfshirë në këtë protestë. Vëmendja ime është te shqetësimet e studentëve. U kam kërkuar studentëve që të komunikoj me ta për të ndarë të gjitha shqetësimet që ata kishin. Nuk kanë pranuar që të vijonim në këtë rrugë. Kanë dashur një takim informal me zv/ministren. Ata janë një pasuri e kombit tonë. Ndaj ata nuk meritojnë që të mos dëgjohen dhe meritojnë që t’u përgjigjesh në zyrën e ministres dhe në aulat e tjera”, tha ajo.
Ministrja e Arsimit tha se nuk ka asnjë rritje të tarifave të studimit, duke bërë një krahasim me qeverisjen e kaluar. Sipas saj nga viti 2013 deri më sot ka pasur vetëm një rritje tarife në vitin 2014.
“Ka ardhur koha që të gjithë të mësojnë të vërtetën për tarifat në universitete nga 2009. Në 2009 tarifa ishte 12 mijë, në 2014 shkoi në 14 mijë. Tarifa maksimale ishte 30 mijë shkoi 45 mijë. Nga 2013-2017 kemi rritje vetëm në 2014. Rritja e tarifës ka prekur shkencat e natyrës dhe gjuhët e huaja. Me propozimin e drejtuesve të universiteteve, kërkesa ka qenë për rritje edhe më të madhe për të mbushur gropën nga mbyllja e part-time. Rritja ka qenë vetëm 5570 lekë në vit. Përgjigja ime për përgjysmim tarifash është njohja dhe respekti me ligjin”.
Për sa i përket tarifës për ngelësit, ministrja u shpreh se ajo hyn në fuqi vitin tjetër, ndërsa shtoi se është e hapur që ta kalojë në tagër të universiteteve në kuadër të autonomisë për ta hequr nga qeveria.
“Kjo pikë nuk ka hyrë në fuqi për këta studentë, lidhet me ata që futen këtë vit në vitin e parë dhe vitin tjetër mund të ketë efekte. Sot rektorët dhe dekanët do të adresojnë dhe patjetër jam e hapur që të ecim drejt një propozimi që kjo pikë t’u lihet universiteteve, jo qeverisë. Kjo pikë nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk ka impakt në asnjë student, do të futet vitin tjetër. Nëse universitetet janë dakord, jam gati ta lëmë në tagër të autonomisë universitare”, u shpreh ministrja.
Ndërkohë më herët ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka takuar dekanët e Fakulteteve, për t’u konsultuar në lidhje me kërkesat që parashtruan studentët në protestë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje