Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka folur pas takimit të jashtëzakonshëm të NATO-s që u mbajt për zhvillimet e fundit në Ukrainë. Në fjalën e saj, Xhaçka tha se gjatë takimit u konfirmua vendosmëria e aleatëve për të mbështetur Ukrainën.
Sipas saj, agresionin rus Gjykata Ndërkombëtare Penale do ta hetojë për krime lufte, duke theksuar se Shqipëria ka një rol domethënës në përpjekjet për të mbështetur Ukrainën.
“Shumë vende europiane, vetë Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë masa në mbështetje të popullit ukrainas që do të kishin qenë të paimagjinueshme ndoshta edhe pak muaj më parë, duke i furnizuar me armatime, duke kaluar disa paketa sanksionesh masive që po i japin një goditje shumë të rëndë Rusisë, duke ia rritur në mënyrë të jashtëzakonshme koston e këtij agresioni kriminal, që tashmë edhe me bashkëpunimin e Shqipërisë i është referuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të hetuar për krime lufte”, tha Xhacka.
Ajo shtoi duke thënë se Shqipëria ka luajtur një rol domethënës në këto përpjekje për të mbështetur Ukrainën, edhe me ndihmë materiale konkrete, por sidomos në fushën e diplomacisë, ku “pardje siç keni pasur mundësinë ta ndiqni u arrit një fitore duke miratuar me shumicë absolute votash një rezolutë të bashkësponsorizuar nga Shqipëria ku i kërkohej Rusisë t’i japë fund luftës”.
“Unë dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë që roli që ka luajtur Shqipëria është vlerësuar maksimalisht nga aleatët dhe që bashkë me ta do të vazhdojmë punën e mirë që kemi bërë gjatë këtyre javëve në Këshillin e Sigurimit, në NATO, në OSBE, në Këshillin e Europës dhe në çdo forum ndërkombëtar ku mund të ofrojmë mbështetjen tonë për popullin ukrainas, lufta e të cilit nuk është thjesht një luftë për mbijetesën e Ukrainës por një luftë për paqen e sigurinë në kontinentin evropian”, ka përfunduar Xhacka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje