Partia Demokratike kundërshton projektin e qeverisë për shitjen e pasaportave duke deklaruar se ky projekt çon drejt greminës sigurinë kombëtare të vendit.
“Një qeveri që nuk ruan dot as portalin e vet të cilin ia ‘thyejnë’ disa hakera amatorë, të cilët Edi Rama Megallomani i paraqet si ‘fuqi të huaja’, ka ndërmarrë edhe një hap tjetër që e çon para greminës sigurinë kombëtare. Pasi ka shitur çdo gjë publike dhe ka bërë publike çdo të dhënë të shqiptarëve; pasi ka hapur portat e ndeshjes së demave të krimit me moton ‘hëngshi kokat tuaja!’; pasi i ka hedhur interesat kombëtare në ‘gojën e ujkut serb’ që atij i duket vëlla, Edi Rama ka gati pabesinë e radhës në shpinë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. ‘Pasaporta e artë’, e paraqitur si nismë për të ofruar biznesin dhe investimet e huaja, nuk është gjë tjetër veçse fundi i pafund i marrëzisë liberale të Edi Ramës”, deklaroi zëdhënësja e PD, Floriana Garo.
Partia Demokratike e kundërshton këtë si rrezikshme për sigurinë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të rajonit, Bashkimit Europian e me gjerë.
“Sepse i hap rrugë, si personazheve me kapacitete financiare kriminale apo të dyshimta, të lidhura ngushtë me Edi Ramën, ministrave dhe zyrtarëve të tij, ashtu edhe celulave të terrorizmit ndërkombëtar”, vijon PD.
PD thotë se kundër nismës ka dalë edhe Komisioni Europian, ndërsa thotë se nisma ka vetëm një qëllim.
“Partia Demokratike e di arsyen pas kësaj nisme të Edi Ramës, e cila edhe mendjes më të pastërvitur do t’i dukej jo logjike. Ai nuk është budallai, por është shejtani që luan budallain, me një qëllim final që lidhet me forcimin e pushtetit personal dhe të sektit anti-shqiptar që drejton dhe dobësimin e forcës reaguese të ekonomisë dhe publikut vendas. Më shumë se kaq, ai sprovohet në një ushtrim të vjetër anti-europian që ka nisur që në vitin 2013 kur bllokonte negociatat me tri ligjet e famshme. Vendimi për të akorduar pasaporta të arta për zgëqet financiare të botës është pjesë e planit për të mbajtur shqiptarët poshtë dhe Europën jashtë”, tha Garo.
Sipas PD, kalimi i këtij vendimi do të thotë përplasje direkte me Bashkimin Europian dhe direktivat e tij dhe bllokim i negociatave, që sipas PD-së, Ramës i intereson.
“Sepse skaneri i BE mbi aktivitetin e qeverisë do t’i detektonte shenjat e gishtërinjve të tij dhe klikës, të ndotur nëpër punët e pista dhe rrugët e së keqes, që ai ka hapur në shpinë të Shqipërisë, që nga koha kur shpalli ‘të vetmen rrugë’, tek ‘drejtimi i duhur’, për ta përfunduar Shqipërinë në krye të çdo listë të zezë globale, për faqen e tij të zezë”, mbylli deklaratën zëdhënësja e PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje