Politike

Pastrimi i politikës nga ish-komunistët/ Kuvendi e fut në procedurë, por Kushtetuesja e ka rrëzuar njëherë

Në dhjetor të vitit të kaluar Gazeta “Si” raportoi ekskluzivisht për nismën e ndërmarrë nga 20 deputetë të opozitës parlamentare për të shndërruar në ligj një ide, në thelb të së cilës qëndronte lustracioni i politikës dhe ndalimi nga e drejta për t’u zgjedhur, apo emëruar në poste të larta drejtuese e një kategorie të zgjeruar personash që kanë qenë që nga ish-anëtarë të Partisë së Punës e deri tek bashkëpunëtorë me Sigurimin e Shtetit.

Nisma është shqyrtuar në Konferencën e fundit të kryetarëve dhe projektligji është futur në procedurë për t’u diskutuar fillimisht në Komisionet parlamentare dhe më pas për t’u shqyrtuar në seancë plenare.

Drafti “Për Përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe punësimit në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish-funksionarëve, nëpunësve që kanë ushtruar detyra drejtuese në periudhën 28.11.1944 e deri ne 8.12.1990”, nëse do të arrijë që të shndërrohet në ligj në formën e propozuar do ta ndryshonte thelbësisht politikën shqiptare.

Ai parashikon ndalimin në politikë të personave që kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të Partisë Punës, ish-funksionarë e sistemit Komunist, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-hetues, ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe ish- bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit (Spiunë Sigurimi); të shkolluarit dhe të kualifikuarit në shkollat e larta politike të Partisë Punës së Shqipërisë dhe të Sigurimit të Shtetit të Mbrojtjes në ish-vendet e traktatit të Varshavës; ish-anëtarët ose bashkëpunëtorët e Shërbimeve të Inteligjencës se ish-vendeve të Traktatit të Varshavës.

Synimi i deputetëve propozues është që projektligji të miratohet para zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se nëse nisma do të shndërrohej ligj në këtë formë, disa emra deputetësh e politikanësh do t’u ndalohej kandidimi.

“Po punojmë që ta fusin në kanalet e procedurave parlamentare, në përpunimin e detajuar dhe sa më të mirë mbështetur të relacionit të nismës, bazuar në fakte historike, ligjore dhe konventa ndërkombëtare”, deklaronte për gazetën “Si” në dhjetor të vitit të kaluar, deputeti Ralf Gjoni.

Drafti, subjektet e ligjit përjashtohen nga politika dhe drejtësia

Janë pesë kategori që sipas këtij drafti do të përjashtohen e drejta e zgjedhjes në organe drejtuese publike, shtetërore dhe politike.

“Anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) dhe të Partisë Punës së Shqipërisë; Ish – funksionarët e Sistemit Komunist; Ish- gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-hetues, ish-Oficerë të Sigurimit të Shtetit Komunist, dhe ish- bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit (Spiunë Sigurimi); Të shkolluarit dhe të kualifikuarit në shkollat e larta politike të Partisë Punës së Shqipërisë (PPSH-se) dhe të Sigurimit të Shtetit të Mbrojtjes në ish-vendet e traktatit të Varshavës; Ish-anëtarët ose bashkëpunëtorët e Shërbimeve të Inteligjencës se ish-vendeve të Traktatit të Varshavës”, thuhet në nenin 4 të këtij projektligji të siguruar që në dhjetor nga Gazeta “Si”.

E gjithë kjo kategori personash do të përjashtohet nga e drejta për t’u zgjedhur President, Kryeministër, ministër, deputetë, zëvendësministër, kryetarë bashkim, amabsadorë, si dhe në të gjitha organet e reja të drejtësëi, anëtarë gjykatash apo pjesë në KLP, KLGJ apo dhe KED.

Janë gjithsej 25 funksione publike që emërohen apo zgjidhen që përjashtohen më këtë nismë. Ndërsa gjithashtu kjo kategori personash nuk do të lejohet që të zgjidhet edhe në rang këshilltarësh, apo punonjës në kabinetet e zyrtarëve të lartë si Kryeministri, Presidencë, Parlament apo dhe në institucionet e drejtësisë.

Topi në fushën e mazhorancës

Deputetët e opozitës parlamentare e shohin këtë nismë edhe si një test për vullnetin e mazhorancës socialiste për kryerjen e një procesi lustracioni, që sipas tyre do të spastronte njëherë e përgjithmonë nga politika ish-funksionarë të komunizmit, që janë akuzuar e përfolur deri për krime kundër njerëzimit.

Por, përveç vullnetit të mazhorancës projektligji ka edhe një pengesë tjetër, që është një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Në vitin 2008, Partia Demokratike miratoi një ligj të ngjashëm, por Gjykata Kushtetuese e asaj kohe e pezulloi nga zbatimi, pasi binte ndesh me nenet e Kushtetuese.

Në vendimin e saj, Gjykata tha se ligji binte ndesh me të paktën në tri nene të Kushtetutës. Kushtetuta u njeh shqiptarëve të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur pa asnjë kufizim, (me përjashtim të personave subjekt i dekriminalizimit) gjë që nuk respektohej në ligjin e Lustracionit për ata persona, ku ai shtrin veprimin e tij. Kushtetuta ndalon diskriminimin mbi çdo lloj baze: etnie, origjine kombëtare, familjeje.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese rrëzoi efektin prapaveprues të ligjit. Ajo thotë se ligji duhet të këtë fuqi vetëm për të ardhmen dhe jo për të shkuarën, siç ndodh me këtë ligj. Duke patur parasysh këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca e majtë votoi gjatë mandatit të parë qeverisës ligjin “Për hapjen e dosjeve”, ku u krijua Autoriteti i Posaçëm për dosjet e ish-sigurimit të shtetit, por që u shmang lustracioni, pra përjashtimi i zyrtarëve që rezultojnë me të kaluar të dyshimtë.

Ish-funksionarëve që u ndalohet zgjedhja apo emërimi në poste publike

– Anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) dhe të Partisë Punës së
Shqipërisë;
– Ish-funksionarët e Sistemit Komunist;
– Ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-hetues, ish-Oficerë të Sigurimit të Shtetit Komunist dhe ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit (Spiunë Sigurimi);
– Të shkolluarit dhe të kualifikuarit në shkollat e larta politike të Partisë Punës së Shqipërisë (PPSH-së) dhe të Sigurimit të Shtetit të Mbrojtjes në ish-vendet e traktatit të Varshavës; Ish-anëtarët ose bashkëpunëtorët e Shërbimeve të Inteligjencës se ish-vendeve të Traktatit të Varshavës.

Nuk kanë të drejtë të zgjidhen në këto poste:
President i Republikës
Kryeministër
Deputet i Kuvendit
Ministër
Zv. Ministër
Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese
Anëtarë të Gjykatës së Lartë
Anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED)
Anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ)
Anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP)
Titullarë të Institucioneve të Pavarura Kushtetuese që zgjidhen ose emërohen nga
Kuvendi, Presidenti, Kryeministri, Këshilli i Ministrave;
Prokurorë ose Gjyqtarë të të gjitha niveleve;
Kryetar Bashkie
Prefekt
Drejtorë të Përgjithshëm, Drejtor Drejtorie, Drejtore Rajonale në të gjitha
institucionet shtetërore
Drejtore dhe Drejtues në Policinë e Shtetit të Shërbimit Informativ te Shtetit të Gardës së Republikës së Shqipërisë
Të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
Ambasador
Konsull;
Sekretarë të Përgjithshëm në çdo institucion;
Këshilltarë dhe shefe kabineti të Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Kryetarit të
Kuvendit, Ministrave, të Institucioneve Kushtetuese

Firmëtarët
Myslim Murrizi
Ralf Gjoni
Halit Valteri
Arlind çaçani
Krenar Rryçi
Majlinda Halilaj
Adriatik Alimadhi
Zef Shtjefni
Elda Hoti
Edlira Hyseni
Artur Roshi
Besnik Troplini
Nikolin Staka
Vasil Sterjovski
Halil Jakimi
Arben Elezi
Ligoraq Karamelo
Rudina Hajdari
Fatjona Dhimitri
Korab Lita


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë