Futboll

Pasuesi i Ronaldos, Kean dhe Ikardi kryesojnë listën e gjatë te Juventusi

Shitja e mundshme e Kristiano Ronaldos po ecën me hapa të njëjtë edhe me kërkimet e drejtusve të Juventusit për zëvendësuesin e tij. Emra ka shumë, por më shumë janë sugjerime se pista konkrete. Është logjike të mendosh për Moise Kean, pas vizitës së Mino Raiolës në Kontinasa. Sulmuesi italian është një profil në linjë me idetë e klubit bardhezi, një lojtar i ri.

Kean është 21 vjeç dhe është menjëherë gati për Alegrin, duke pasur parasysh 3 sezonet në Serinë A me Juventusin dhe Veronën. Mund të arrihet një akord me Evertonin, që e bleu në 2019-ën pikërisht nga Juventusi për 29.5 milionë euro. Klubi anglez mund ta lejojë sulmuesin të luajë në huazim për një skuadër tjetër.

Paulo Dibala dhe Mauro Ikardi. Gazeta Si, 27 gusht 2021

Pas tij në listë vjen Mauro Ikardi, argjentinasi që pëlqehet shumë nga Alegri. Ai mund të kthehet në Itali, edhe pse ndihet mirë në Paris, ndërkohë që duhet pritur edhe qëndrimi i klubit francez në lidhje me këtë pistë. Mbape pritet të largohet për te Reali dhe nuk është e thënë që trajneri Poketino të lejojë shitjen e një tjetër sulmuesi.

Pak shpresa ka për Dushan Vlahoviç, sulmuesin e Fiorentinës që Komiso nuk dëshiron ta shesë. Hipoteza janë edhe Grizman, Joviç, Aubamejang, Lakazet dhe Verner, por për këtë lojtarë nuk ka asnjë konfirmim nga klubi torinez. Për shkak moshe dhe rroge, sigurisht që nuk janë zgjedhje të para të drejtuesve të Juventusit. Për sa i takon Gabriel Jesusit, Guardiola – me apo pa CR7, – nuk dëshiron ta lejojë të largohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë