Gazeta Si – Stuhi në Rusi, sërish për dopingun. Ka shumë dyshime për trajneren e hekurt që prodhon sportiste, të cilat dominojnë botën dhe më pas zhduken shumë shpejt.
Dyshimet janë se trajnerja e patinatores Kamila Valieva është prapa skandalit të dopingut që ka trazuar kohët e fundit botën olipmike. Edhe pse Valievës iu dha e drejta të garonte në Pekin 2022. Bëhet fjalë për Eteri Tutberidze, 47-vjeçaren moskovite, gjysmë gjeorgjiane, çerek ruse dhe çerek armene. Babai i saj ka qenë edhe taksist, kurse nëna inxhiniere në ministrinë e politikave bujqësore.

Eteri, fëmija i fundit i familjes, e diplomuar në universitetin e Malakhovas, bënte patinazh që e vogël. Individualisht në fillim dhe më pas në çift. Edhe pse është trajnuar nga legjendaret Tatiana Tarasova, Natalia Liniçuk dhe Elena Tçaikovskaia, nuk e ngriti asnjëherë nivelin, por prej tyre ‘vodhi’ profesionin, ose më mirë artin. Në Rusi, mes dashurisë dhe traditës për muzikën dhe baletin klasik, patinazhi është edhe më i dashur e popullor.
Eteri bëri një praktikë prej 6 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Oklahoma Siti, Sinsinati, Los Anxheles dhe San Antonio. U nis për të marrë pjesë në një shou Gala dhe përfundoi duke ndjekur vajzat e vogla në pistë dhe u bë nëna e Dianës, që lindi në Las Vegas në janar të 2003-shit. Pasi u kthye në Moskë, e nis punën seriozisht.

Shumë seanca akulli në fillim sa në një vend në tjetrin, pastaj, në 2008-ën, kaloi te ‘Sambo 70’, një klub prestigjioz me 52 vite histori. Dhe këtu Eteri u bë ‘zonja Tutberidze’. Më 8 shkurt 2012, 10 vjet më parë, në kampionatet ruse juniores, 13-vjeçarja Julia Lipnitskaia, nxënëse e saj dhe fituese e ‘Grand Prix’, i mahniti të gjithë me kombinacione saltosh që nuk ishin parë më parë dhe me një total pikësh të jashtëzakonshëm. Është fillimi i një dinastie, i ‘Team Tutberidze’.
Nga ai moment nga shkolla e saj dalin vajza të reja që dominojnë botën. Julia, në 2014-ën fiton Europianin dhe del e dyta në Botëror. Më pas është radha e Evgenia Medvedeva (dy të arta botërore dhe kontinentale), pastaj Alina Zagitova, medalje ari në Olimpiadën e ‘PyeongChang 2018’. Në gjeneratën pasardhëse spikatin Alena Kostornaia, Anna Sherbakova dhe Aleksandra Trusova. Në fund ‘baby’ Valieva (datëlindja 2006), më e jashtëzakonshmja.

Vajzat minorene duken si një markë fabrike. Zonja Eteri është e ashpër me to, e pamëshirshme. Imponon rregulla të forta, dieta të hekurta, orë stërvitjeje sfilitëse dhe përsëritje pa fund. Pretendon shumë dhe nga pikëpamja njerëzore nuk jep asgjë në shkëmbim. Madje vajzat i vë edhe përballë njëra-tjetrës. Ndonjëra kalon ulje-ngritje. Teknikisht shndërrohen në makineri perfekte saltosh. Triplo dhe kuadruplo pa fund.
Por rezistojnë vetëm 3-4 sezone, pastaj zhduken. Në ambientin përreth thonë se zonja Tutberdidze ka më shumë dashuri për qenushin e saj të pandashëm se për sportistet e saj. “Sportistet nuk duhet t’i duash, – ka thënë trajnerja. – Me djemtë punoj pak, sepse ata kanë nevojë të ndjejnë dashurinë, kërkojnë mëshirë”.
Dy vjet më parë pati një revoltë: Kostornaia dhe Trusova shkuan në Shën Pietërburg, te car Jevgeni Plushenko. Eteri drejton, imponon ligjin e saj dhe në pistë i beson teknikut Sergei Dudakov dhe koreografit Danil Gleikhenhauz, pjesëtarë të klubit. Valieva është perla më e çmuar, por 14-vjeçarja Sofia Akateva duket se është gati t’i marrë vendin. Cili është sekreti i këtij suksesi? Dikush kohët e fundit pretendon në mënyrë malinje se e ka gjetur. Me shumë mundësi, me pasoja të rënda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje