Partia Demokratike ngre alarmin se mosmarrja e masave ndaj Covid-19 po shndërron shkollat në vatra të rrezikshme infeksioni.
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka dhënë një deklaratë për mediat përpara Kryeministrisë në lidhje me situatën e pandemisë në vendin tonë dhe ndarjen nga jeta të mësuesve.
Vokshi u shpreh se deri tani kanë ndërruar jetë, të prekur me Covid, 10 mësues, ndërsa qeveria nuk siguron as kushtet minimale në shkolla.
“Me keqardhje konstatojmë që vetëm 2 ditët e fundit, të tjerë mësues kanë humbur betejën me virusin COVID 19. Qeveria ende nuk ka marrë asnjë masë reale për mbrojtjen minimale të mësuesve dhe nxënësve në shkolla.
Janë 10 mësues që nga fillimi i vitit shkollor që janë ndarë nga jeta pikërisht për shkak të COVID19, por ata janë trajtuar vetëm si statistika nga qeveria. PD shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve të shtrenjta të mësuesve dhe ngushëllon familjet, kolegët e të afërmit”, shprehet Vokshi.
Ndër të tjera, ajo thotë se “Situata në shkolla është ALARMANTE dhe jashtë çdo kontrolli. Shkollat janë sot ndër vatrat më të rrezikshme të përhapjes së infeksionit, sepse qeveria nuk do t’ia dijë për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve. Ajo që i intereson Edi Ramës është vetëm t’i përdorë ata për politikë dhe për pushtet”.
Vokshi shprehet se “nga raportimet në media dhe informacionet që vijnë në PD janë mijëra mësues dhe nxënës që janë të prekur/karantinuar.
– [ ] Shkollat në Tiranë: në dy ditët e fundit janë 280 nxënës, rreth 120 mësues të prekur osë karantinuar.
– [ ] Vetëm në Korçë janë mbi 100 mësues të prekur me COVID19
– [ ] Vetëm në 3 shkolla në Lezhë janë 20 mësues.
– [ ] Në të gjithë vendin janë rreth 600 mësues prekur/karantinuar dhe mbi 1300 nxënës
Sipas Vokshit, qeveria i ka braktisur e lënë në mëshirë të fatit, pa testime, pa maska, pa dezinfektant, pa ujë, pa kushte higjeno sanitare, duke i shfrytëzuar si skllevër me dyfishin e ngarkesës që nuk u paguhet kurrë.
“Kryeministri në ikje po jep dhjetëra miliona euro për projekte korrupsioni, siç është ai i Teatrit me kulla, por nuk jep asnjë qindarkë për të rritur sigurinë në shkolla apo për të ndihmuar mësuesit e prekur nga virusi i rrezikshëm”, thotë ndër të tjera Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje