Politike

PD bën thirrje për protestë, Tabaku dhe Alibeaj nuk i përgjigjen, vijojnë takimet e tyre

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi të premten të gjithë demokratët në shesh, përveç Lulzim Bashës.

Por Basha nuk është i vetmi që do të mungojë.

Në të njëjtën kohë kur Luçiano Boçi (nënkryetar i PD) bëri thirrje që të gjithë të mblidhen në shesh të shtunën, Jorida Tabaku shpërndau nga faqja e saj në Facebook një takim modest me një çift qytetarësh që ankoheshin për shtëpinë e tyre në një nga lagjet e Tiranës.

“Qytetarët e kësaj lagje në njësinë 4 janë viktima të një mashtrimi elektoral që si përherë ka burim, mazhorancën dhe bashkinë Tiranë. Të mashtruar me skemën e tërmetit sot kërcënohen të dalin në rrugë pasi shtëpia që e kanë me tapi do tu shembet për një pallat të ri nga i cili s’do përfitojnë kurrgjë ndonëse pronarë. A është kjo e drejtë?  A është kjo respekt për pronën?! Jo!”, shkruan Tabaku, por asgjë tjetër që mund të ketë lidhje për protestën.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Enkelejd Alibeaj kur ditën e protestës ka shpërndarë një takim që ai zhvilloi me përfaqësues te OSBE-ODIHR në një nga zyrat e tij të punës, dhe jo në selinë e PD.

“Pata kënaqësinë të pres në një takim të veçantë dy përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it, Z. Alexey Gromoë dhe Z. Kakha Inaishvili. Në përgjigje të interesimit të tyre, i informova për përgatitjet që po kryhen nga Partia Demokratike për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023. I informova mbi punën e deritanishme të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe punën voluminoze që ekspertët e PD kanë bërë për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it.

Vlerësova angazhimin e misionit të ODIHR-it në Shqipëri dhe iu kërkova që ata të monitorojnë me vëmendje dhe që tani, zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi është fakt i njohur tashmë, marrëdhënia problematike që ka qeveria aktuale me zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri”, shkruan Alibeaj.

Ndërkohe paralelisht me ta, deputetë të Rithemelimit në bllok kishin mbushur faqet e tyre në Facebook me thirrjen për protestë. Ka edhe nga ata që janë pozicionuar me palën tjetër që sot do ti bashkohen protestës, si Dashnor Sula apo Saimir Koreshi si dhe nga ata të papozicionuarit si Ervin Salianji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë