Politike

PD çon dokumente shtesë në SPAK, padit Erion Veliajn për inceneratorët

Nënkryetarja e PD-së e cila drejtoi punën e komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, tha përmes një konference për mediat se, PD do të depozitojë në SPAK dokumente shtesë, që fajësojnë sipas saj kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

“Jam këtu për t’ju informuar që sot menjëherë pas kësaj konference PD  do të dorëzojë fakte shtesë në organin e akuzës, në SPAK për sa i përket Erioni Veliaj.

Do të fillojmë sot me Erion Veliaj i cili ishte personi qe gjatë dëshmisë së tij në komisionit hetimor u kap në dëshmi të rreme.

Cilat janë faktet e reja?!

Z.Erion Veliaj ka qenë i informuar në projektin e inceneratorit të Tiranës që në Datë 28.06.2016 ku në përgjigje të kërkesës së kompanisë që fiton koncesionin ai informohet për një studim ku pjesa takuese e Bashkisë Tiranë, në kosto është 91 mln euro. Në 5 shtator të 2016 ngrihet komisioni për dhënien me koncesion të inceneratorit të Tiranës, ku Bashkia e Tiranës ka dy përfaqësues të saj, z. Taulant Tusha dhe z.Namik Simixhi. Në kundërshtim me ligjin për pushtetin vendor, Erion Veliaj kthen një përgjigje që unë e kam këtu, në emër të Bashkisë Tiranë, me kostot e buxhetit 91 mln euro. Por njëkohësisht ne emër të Qarkut Tiranë, pa dërguar kërkesën e ministrisë së Mjedisit dhe projektin në Këshillin Bashkiak Tiranë. Pra ka miratuar një projekt në kostot e buxhetit të bashkisë Tiranë 91 mln euro pa mbledhur Këshillin Bashkiak…”, tha ajo. Më tej Tabaku shtoi:

“Veliaj zotohet që do të paguaje jo vetëm pjesën e bashkisë Tirane, 91.8 mn euro pa pyetur Këshillin Bashkiak. Por njëkohësisht në rast se bashkitë e tjera dështojnë për të zbatuar detyrimet e tyre, Erion Veliaj sipas Nenit 9, pikës 4 e kësaj kontrate koncensionare qe unë e kam këtu, merr përsipër të paguajë detyrimet edhe të bashkive të tjera të qarkut Tirane, pa e pasur autoritetin, përgjegjësinë por edhe njëkohësisht pa pasur funksionet e kryetarit te qarkut.

Kjo është një shkelje e dyfishtë pasi jo vetëm që ka marrë angazhimin për bashkinë Tirane pa thërritur Këshillin Bashkiak, por njëkohësisht është angazhuar edhe për bashkitë e tjera të qarkut Tiranë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë